Tiranë, 15 janar 2011, NOA – Partia Demokratike ka denoncuar qëndrimin e kryetarit të opozitës Edi Rama se me regjistrimin dhe montimin e një videoje të tillë ka kryer një qëndrim amoral ndaj mediave dhe fjalës së lirë, me qëllimin e vetëm për të akuzuar kryeministri Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj tha se “Partia Demokratike, pas denoncimit që kryeministri Sali Berisha i bëri atij manipulimi, vlerëson transmetimin që ky kanal televiziv i bëri videos së manipuluar, duke nxjerrë në pah dhe para të gjithë shqiptarëve fytyrën e profesionin e vetëm të Edvin Ramës, si manipulator që nuk ndalet para asgjëje për të trilluar e fallsifikuar për kundërshtarin e tij”. Më tej, Mustafaraj ka sqaruar se për televizionin që transmetoi pamjet e videos të shkurtuara nuk do të ketë asnjë proces gjyqësor. “Partia Demokratike bën me dije se në rast se transmetimi i pjesëve të këputura të videos është bërë nga ndrojtja se mund të përballen me ndonjë proçes gjyqësor, i garanton se çdo gjë që ata do të japin e transmetojnë, s’do të ketë kurrë proçes gjyqësor nga administrata e Qeveria Berisha. E në këtë kontekst, PD i bëri thirrje televizionit Top Channel të transmetojë të plotë të gjithë videon për t’i dhënë mundësi shqiptarëve të shohin më sytë e tyre manipulime të tjera që ekzistojnë në pjesën e videos të shfaqur ditën e parë. “Sikundër i bëjmë thirrje atyre që nuk duan të përdoren në Top Channel si hanxhar politik të zotit 20 përqind, t’i kërkojnë çakallit të Edvin Ramës të lejojë transmetimin e të gjithë videos. Aty do të gjeni se kreu i kupolës mafioze që drejton Partinë Socialiste sot, në urrejtjen e tij patologjike ndaj kundërshtarit të tij politik, i ka lejuar vehtes të ndërrojë emrat dhe gjinitë e njerëzve, vetëm e vetëm për të akuzuar kryeministrin e vendit”, shtoi zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj. mit/NOA