Tuniz, 15 janar, NOA – Ka braktisur vendin duke e lënë në një gjendje kaotike, pas 23 vitesh pushtet. Ky është akti i ndërmarrë nga presidenti tunizian, Ben Ali, i cili u arratis natën e shkuar për në Arabinë Saudite, duke e lënë Tunizinë në një gjendje lufte dhe protestash të vazhdueshme. Këto të fundit nisën kundër pushtetit të tij, duke e detyruar që të ndërmarrë edhe vendimin e arratisjes, pavarësisht premtimeve që bëri dy ditë më parë në një fjalim se do të ndikonte në plotësimin e kërkesave të qytetarëve të Tunizisë. Ndërkaq, është kryeministri Mohamed Channouchi i cili tashmë ka marrë përsipër edhe detyrat e presidentit Ben Ali. Ky i fundit e ka drejtuar vendin që prej vitit 1987 dhe tashmë e la atë në një gjendje të jashtëzakonshme, të dekretuar disa ditë më parë. Sipas të dhënave që raportojnë mediat vendase, nga protestat e dhunshme antiqeveritare që kanë shpërthyer prej ditësh në Tunizi , deri tani 23 persona kanë humbur jetën, por raportet e organizatave të të drejtave të njeriut, pohojnë se numri i vërtetë i tyre është mbi 60. n.e/NOA