Shkup, 16 Janar 2011 NOA - Dosje të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) do të publikojë së shpejti Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FDBK), raporton zëdhënësja e tij Vera Dushi. Kryetari i FDBK-së, Gafur Adili thotë për "Lajm" se së shpejti do të publikojnë dosje që tregojnë se Gruevski dhe Cërvenkovski kanë bashkëpunuar dhe shërbimet sekrete të ish Jugosllavisë. "Së shpejti opinioni do të njihet me dosjet e Cërvenkovskit dhe disa pjesëtarëve të tjerë të LSDM-së si dhe me dosjen e Nikolla Gruevskit", thotë Adili. Ai sqaron se dosjet i kanë blerë nga njerëzit e Millosheviqit. "Qëllimi ynë nuk ka qenë blerja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të UDB-së, por rastësisht hasëm në to. Në përpjekjet tona për të blerë hartat me varreza të të zhdukurve kosovarë ramë në gjurmë të këtyre dosjeve", sqaron kryetari i FDBK-së. Adili, i cili momentalisht ndodhet në Tiranë nuk do të paraqitet si dëshmitarë i Hisen Musliut, i cili akuzohet për falsifikim të dosjeve të funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). "Nuk vij dot në Maqedoni, sepse jam i përndjekur nga Maqedonia", tha Adili për "Lajm", duke shtuar se nëse avokatit të Musliut i duhen ato dosje, ai mund t’i gjejë të filmuara ato tek Televizioni Alb. Adili thotë se as dosjet si dëshmi nuk do t’ia dorëzojnë avokatit të Musliut, por planifikojnë që ato ti dorëzojnë tek Këshilli i Evropës. Të mërkurën si dëshmitar në Gjykatën themelore Shkupi 1 për rastin ‘falsifikatori’ i dosjeve, duhej të paraqitej kryetari i partisë Lidhja Shqiptare, Valon Bela, por as ky i fundit nuk pranoi të dëshmonte. Gjyqi vendosi që dëshmitari Bela të sillet në gjykatë në mënyrë të detyrueshme në seancën e ardhshme gjyqësore. Bela thotë se sërish nuk do të flasë, por do të shfrytëzojë të drejtën Kushtetuese për të heshtur. "S’ka logjikë që të dëshmoj, pasi qëllimi im ka qenë politik, ndërsa gjykata ka qëllime të tjera", thotë Bela duke shtuar se mund t’ia ofrojë si dëshmi avokatit dosjet e noterizuara, por jo dhe origjinalet. Avokati i Musliut, Stefan Pavllevski, kërkoi që Bela dhe Adili të paraqiteshin si dëshmitarë në mbrojtje të klientit të tij. Seanca e ardhshme gjyqësore për Hisen Musliun është caktuar për ditën e martë.