Tiranë, 16 janar 2011, NOA – Nga e shtuna e 15 janarit, për të devijuar fluksin e trafikut nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” përdrejt sheshit qendror “Skënderbej” ku po kryhen punime, Bashkia e Tiranës ka nisur implementimin e skemës së re të qarkullimit të automjeteve duke e zhvendosur atë apo rikthyer në dy bulevardet “Zhan d’Ark” dhe “Bajram Curri”. Drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në BT, Enton Punavija tha se kjo skemë përfshin edhe heqjen e parkimt në bulevardin “Bajram Curri” si dhe në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”. “Kjo është një skemë qarkullimi, e cila i jep përparësi sistemit të transportit publik, i cili ndryshe nga mjetet private do të kalojë sërish në qendrën e qytetit. Punavija i ka bërë apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj sinjalizimit rrugor të vendosur nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe ndaj kohëve të reja të semaforëve, që janë ndryshe nga kohët e mëparshme. “Theksoj edhe njëherë se menaxhimi i trafikut nga ana e organeve të policisë është shumë i rëndësishëm, e po ashtu edhe edukata qytetare, me qëllim respektimin e shenjave të sinjalistikës rrugore, bëri me dije në një prononcim për mediat Drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija. mit/NOA