English

Fëmijët e Rajmonda Zefit i merr gjyshja

Lucca, 16 Janar 2011 NOA – Ata të dy nënën e tyre nuk do ta shohin më për pjesën e mbetur të jetës, por për ca kohë, ndoshta shumë gjatë, as të atin që i mori jetën e asaj që i kish sjellë në këtë botë. Tani e tutje, dy të vegjlit e Rajmonda Zefit, emigrantes nga Shqipëria që prej pak kohësh kishte hapur dhe një biznes në Itali, do të qëndrojnë me gjyshen e tyre. Vendimin e ka marrë Gjykata e Firences, raporton korrespondentja e agjencisë NOA. Më herët, para pak ditësh ishte po kjo gjykatë që kishte vendosur se më të voglën, vajzën tre vjeçe do ta mbante gjyshja e tyre (nëna e Rajmondës), kurse djalin tetë vjeçar ta mbanin gjyshërit (nëna dhe babai i të dyshuarit për vrasjen). Sakaq, i ati i tyre, 36-vjeçari Francesco Quinci u dërgua në një burg të sigurisë së mesme për të qëndruar derisa gjykata të japë vendimin pas vrasjes së të shoqes dhe trajtimit makabër të trupit të të ndjerës. Rajmonda Zefi ishte zhdukur në prag të ndërrimit të viteve dhe i shoqi denoncoi në polici se i kishte humbur gruaja. Denoncimi u bë në policinë lokale të vendbanimit të tyre në Stazzema, lokalitet i Lucca. Por në të vërtetë ky ishte një mashtrim. Para pak ditësh, më 8 janar 2011, policia italiane zbardhi se kishte arritur të zbulonte se i shoqi i Zefit, Francesco Quinci e kishte vrarë dhe më pas kishte marrë kufomën dhe e kishte hedhur në pyll. Quinxi ende mbron versionin e tij se nuk e vrau të shoqen që hodhi në pyll më pas, por thotë se ajo ra nga shkallët dhe vdiq aksidentalisht, në shtëpi, gjatë një grindjeje mes tyre. j.m/NOA

KOMENTE