Tiranë, 16 janar 2011, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim rishtas ka akuzuar Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama se po synon të vendosë në vend standardin e shkuar të diktaturës atë të përgjimit e të persekutimit të qytetarëve. Në një konferencë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Besjan Pesha deklaroi se Edi Rama në vend që t’u kërkojë ndjesë të gjithë shqiptarëve për veprimet e tij të fundit, vazhdon të marrë përsipër me krenari autorësinë e kësaj shëmtie. “Edi Rama po kërkon që standardin e vjetër të përgjimit dhe spiunimit tjua trashëgojë edhe brezave të rinj, të cilët çdo ditë po e refuzojnë me neveri këtë ofertë. Kryetari i Spiunëve të Shqipërisë nuk mund të përdorë dot metodat e vjetra në shoqërinë tonë të re. Megjithëse ai dhe drejtuesit e Koalicionit të Spiunëve, janë mësuar të spiunojnë në diktaturë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë dhe në Demokraci, rinia shqiptare ka për ta refuzuar me neveri këtë metodë jetese”, theksoi Pesha. Në vijim të akuzave të tij, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se Rama pasi luftoi kundër liberalizimit të vizave, kundër marrjes së statusit kandidat, kundër reformave integruese, po e kthen PS-në në një alternativë çimkash, e spiunësh kundër interesave të shqiptarëve. Sipas Peshës kjo vjen ngase Rama i trembet përballjes politike në një garë politike të ndershme, pasi nuk ka program për qeverisjen e vendit. Pesha, në emër të LSI-së i bëri thirrje anëtarëve të Partisë Socialiste të distancohen nga veprimet e Kryetarit të tyre, pasi në të kundërt PS do të shndërrohet kryekëput në një parti spiunësh me një program kombëtar spiunazhi. mit/NOA