English

PD: Rama censuron me psikologjinë e çimkave të bllokut

Tiranë, 16 janar 2011, NOA - Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj asaj që ajo e ka quajtur urdhër të Edi Ramës për censurimin nga media te deputetëve të Partisë Demokratike. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj ka deklaruar se Edvin Kristaq Rama pasi shndërroi televizionin Top Channel në hanxharin e tij politik dhe nën psikologjinë e çimkave të bllokut, montoi dhe fallsifikoi videon duke krijuar të ashtuquajtura prova me qëllim për të dëmtuar imazhin e Kryeministrit të vendit e për ta akuzuar atë, tashmë ka vendosur e urdhëruar një çensurë të plotë në këtë media për Partinë Demokratike dhe për deputetët e saj, në deklaratat e tyre.

Sipas saj ky është një akt i shëmtuar që Zoti Edvin çensura ndërmerr me nënshtrimin dhe poshtërimin e mediave kombëtare.

Në emër të Partisë Demokratike, Mustafaraj i ka bërë thirrje stafit të televizionit Top Channel, të mos pranojë aplikimin e çensurës dhe të mos çensurojë forcën politike kryesore të vendit dhe të gjithë mazhorancën, sepse sipas saj, shndërrimi i institucionit në një dritare vetëm të Edvin Ramës dhe partisë së tij përbën një dëmtim të rëndë të profesionalizmit dhe lirive të mediave.

Zonja Mustafaraj tha, se ndonëse transmetimi i videos së manipuluar nga Edvini dhe çakalli i tij përbën vepër të rëndë penale, Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka deklaruar se ndaj mediave të cilat publikojnë e transmetojnë gjithçka, nuk do të ketë asnjëherë proçes gjyqësor civil apo penal nga Qeveria dhe administrata shqiptare.

mit/NOA

KOMENTE