English

Rama: Ky koalicion nuk meriton të qeverisë më

Durrës, 16 janar, NOA, Update - “Ikja e një ministri nuk ndryshon asgjë, sepse ka mbetur sistemi i korruptuar qeverisës, përsa kohë është në krye të punëve të vendit qeveria e Sali Berishës. Ndërsa koalicioni PD-LSI, është thjesht një bashkim kusarësh e matrapazësh, të cilët janë bashkë për të vjedhur prona e pasuri publike të shqiptarëve”.

Kjo është deklarata që ka bërë sot kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar në Durrës me studentë të Akademisë Politike të Partisë Socialiste. Kreu i PS-së u ka bërë thirrje të rinjve dhe qytetarëve që në datën 21 janar të protestojnë kundër kësaj qeverie.

Rama është shprehur se protesta do të jetë pa flamuj dhe simboli i saj i vetëm është largimi i qeverisë së korruptuar dhe koalicionit hajdut.

“Kjo qeveri nuk meriton të qeverisë më. Ftoj të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij oborri kusarësh e matrapazësh, të gjithë ata që ndjehen të fyer ndaj faktit sesi sillet ky pushtet ndaj popullit të tij, të gjithë ata që ndjejnë revoltë ndaj mënyrës sesi përdoren zyrat e shtetit shqiptar për të qenë në 21 janar në demonstratën që do të zhvillohet pa flamuj e simbole politike partiake”, tha sot Rama me të rinjtë e Akademisë Politike të PS-së.

Ai është ndalur dhe në sjelljen e mazhorancës pas publikimit të skandalit dhe akuzat që sipas tij u janë bërë medieve dhe opozitës.

“Jo vetëm që s’ka pohim, jo vetëm që s’ka ndjesë, jo vetëm që s’ka reflektim, po ka një manovër, nga e cila ka një rezultat që tregon se në thelb nuk ka ndryshuar asgjë, pasi ka ikur Meta, ka mbetur blloku aty”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE