English

Vështrim mbi historinë, “Athinë - Tiranë, ditari i krizave”

Tiranë, 16 janar, NOA - Gazetari Robert Goro hedh dritë mbi marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Libri i dalë dje në qarkullim, “Athinë – Tiranë, ditari i krizave” (Shënime për marrëdhëniet greko-shqiptare në vitet 1993 – 1996), është një analizë ulje-ngritjeve të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në faqet e këtij libri autori u hedh një vështrim analitik ngjarjeve që dominuan marrëdhëniet greko-shqiptare në vitet e para të hapjes së Shqipërisë pas përmbysjes së regjimit komunist dhe që u acaruan në mënyrë të skajshme dy herë: në verën e vitit 1993, pas deportimit të një kleriku grek nga Shqipëria, dhe në pranverë 1994, pas sulmit në repartin ushtarak shqiptar në Peshkëpi të Gjirokastrës, autorësinë e të cilit e mori përsipër organizata MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut). Libri hapet me një kronikë referuar një shkrimi të gazetës amerikane Wallt Street Journal, ku thuhej se parashikohet konflikt i armatosur në zonën e minoritetit (mars 1993) dhe mbyllet me vizitën e presidentit grek, Kostis Stefanopulos në Tiranë, (mars 1996), kur mes të dy vendeve u nënshkrua Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit. Për periudhën që përfshihet në libër, autori ka qenë i vetmi gazetar shqiptar i akredituar në Greqi dhe i ka përcjellë aktivisht të gjitha zhvillimet; në këtë sens libri përfiton një vlerë të veçantë dhe hedh dritë mbi shumë ngjarje, për të cilat publiku i gjerë mund të ketë pasur vetëm një imazh të trubullt e të zbehur edhe më shumë nga distanca kohore. Robert Goro ndodhet që prej vitit 1993 në Athinë, Greqi, ku punon si korrespondent i seksionit shqip të radios britanike BBC. Më parë kishte punuar si gazetar në revistën Hosteni dhe gazetën Tirana. Në Greqi ka krijuar e drejton gazetën Tribuna, e përjavshme në gjuhën shqipe. Ka botuar librat: Takohemi pasdite (tregime, 1990) Një këngë për Edit Pafin (roman, 2000), FYROM: Supermacia e inferioritetit (publicistikë, 2001), Dosja 1990-1991, dëshmia e Kiço Mustaqit (publicistikë, 2004). “Athinë – Tiranë, ditari i krizave” vjen për lexuesin nga shtëpia botuese “Toena”. a.kNOA

KOMENTE