English

Berisha: Mazhoranca heq dorë nga imuniteti

Tiranë, 17 janar, NOA Update – Kryeministri, ministrat dhe gjithë deputetët e PD-së do të firmosin një deklaratë ku shprehen se do të heqin dorë nga imuniteti. Kërkesa është bërë sot nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentare.

Ai u shpreh se çdo person nga mazhoranca nuk do të ketë asnjë pengesë për hetim nga drejtësia për korrupsion.

“Z. Kryetar i Grupit Parlamentar, bashkë me komisionin do të përgatisni deklaratën që do të firmoset duke filluar nga unë dhe gjithë anëtarët e mazhorancës, të bëhet ndërhyrja e nevojshme në rregulloren e Kuvendit dhe të adaptojmë një standard të cilin e praktikon vendi më i madh i BE-së, Gjermania, prej shumë e shumë vitesh”, tha sot Berisha.

Ai u shpreh se do të merret modeli gjerman për ketë çështje, duke qenë se Bundestagu nuk e ka parë të arsyeshme që të ndërhyjë në Kushtetutë. “Nuk kanë bërë ndërhyrje në Kushtetutë dhe përdorin këtë praktik. Le ta marrim këtë shembull, garantojmë se nuk do të ketë asnjë lloj imunitetit për korrupsionit dhe krimit. Për të tjerat është procedurë tjerë”, tha ai.

Berisha ka lënë të hapur dhe mundësinë e bashkëpunimit me PS-në për ndryshimin e Kushtetutës, duke thënë se mazhoranca është gjithmonë e gatshme.

“Nëse opozita dëshmon vullnet për të bërë ndryshimet e duhura ligjore jemi të gatshëm t’i bëjmë që nesër ato. Duhet që ministri i Drejtësisë në një mbledhje të KLD-së të shtrojë këtë çështje lidhur me imunitetin e gjyqtarëve”, tha Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE