Tiranë, 17 janar 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha e ka garantuar ambasadorin e Hungarisë, vendit që kryeson Presidencën e BE-së për këta gjashtë muaj të parë të 2011-ës, se qeveria shqiptare do t’i kthejë në plan pune detyrat e lëna nga KE në raport progresin më të fundit dhe se është e gatshme të bëjë gjithçka për plotësimin e detyrave të lëna në këtë raport. Ambasadori Hungarez në Tiranë, Sandor Molnari u shpreh se Hungaria, bazuar mbi axhendën e Selanikut, mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe se do të punojë ngushtësisht me qeveritë e këtyre vendeve, për hapat e mëtejshëm në këtë drejtim.
Duke e falenderuar për këtë mbështetje, shefi i qeverisë shqiptare vlerësoi se integrimi i vendit në BE është projekti madhor kombëtar, për realizimin e të cilit qeveria shqiptare është plotësisht e vendosur të ndërmarrë çdo reforme dhe çdo masë dhe po punon intensivisht për realizmin sa më shpejt të kësaj ëndrre, duke e parë këtë proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritën.
Më tej, ambasadori Molnari e njohu kryeministrin me prioritetet e presidencës së radhës të BE-së, të cilat ndër të tjera përfshijnë nxitjen e rritjes ekonomike; punësimin dhe përfshirjen sociale; forcimin e politikave koordinuese ekonomike dhe fuqizimin e institucioneve financiare në nivel evropian; promovimin e politikave të përbashkëta në fusha si bujqësia, energjia, kohezioni etj; sjelljen e Evropës më pranë qytetarit dhe promovimin e politikave në fushën e kulturës.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen e thelle se Presidenca hungareze e BE-së do të jetë e suksesshme në realizmin e detyrave që i ka vënë vetes, si për promovimin e prioriteteve të rëndësishme të axhendës së BE-së, por edhe për tejkalimin e sfidave, në veçanti për kapërcimin e vështirësive dhe pasojave të krizës ekonomiko -financiare.
mit/NOA