English

Degjeneron seanca e Kuvendit, "nudo dhe kusarë"

Tiranë, 17 janar 2011, NOA – Edhe me rinisjen e seancës plenare të ndërprerë disa herë për shkak të tensionit në sallën e kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi deklaroi nga foltorja e Kuvendit se “Sot Sali Berisha ti ike me ato që shqiptarët panë e dëgjuan. Duke perifrazuar një shprehje të shkrimtarit Dritëro Agolli, Ruçi theksoi se “Sot shqiptarët dëgjuan se si edhe mund të vjedhësh, por edhe mund të tallesh; se si edhe mund të vjedhësh por edhe mund të shash; se si mund të vjedhësh por edhe mund të mashtrosh; se si mund ta lësh Shqipërinë të paintegruar e prapë të përbetohesh”. Zoti Ruçi në apelin e tij të fundit për sot i bëri thirrje shqiptarëve që në protestën e 21 janarit të marrin në dorë fatin e dinjitetit të vet. Duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, arsimtarëve, mjekëve, infermierëve, e të gjithë atyre që s’janë paguar prej muajsh të tërë, kreu i Grupit të PS-së theksoi se 21 janari është dita për të larguar qeverinë e Sali Berishës dhe jo ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste. “Në 21 janar ne do të jemi me të gjithë shqiptarët, pikërisht sepse ata meritojnë standard e kulturë tjetër qeverisjeje”, tha Ruçi. Ruçi nënvizoi se nëse Berisha do të kishte një fije mend, do t’u kërkonte ndjesë për atë shfaqje të ndyrë në këtë parlament, të cilin e ka uzurpuar. Sipas Ruçit demokracia parlamentare do të mungojë në Shqipëri për aq kohë sa në karrigen e kryeministrit të Sali Berisha, i cili e ka kapur për fyti shtetin, ndërsa tallet sipas Ruçit edhe me deputetët e tij të mazhorancës dhe me votuesit. Në replikën e tij të shpejtë, vetë shefi i qeverisë, duke iu kundërpërgjigjur Gramoz Ruçit, i garantoi shqiptarët se “reagimi i tij në këtë seancë nuk kishte të bënte me montimin e videos që Edvin Kristaq Rama realizoi, por as edhe me asnjë sentiment negativ personal, porse sikundër tha zoti Berisha kishte të bënte vetëm me respektimin e dinjitetit të shqiptarëve. “Imagjinoni ju se ç’mund të bëjë kjo bandë, kur ky bastard i bllokut i lejon vetes të montojë zgjidhje për kryeministrin”, theksoi Berisha. Pas këtyre fjalëve të kryeministrit deputetët e opozitës i janë afruar rishtas podiumit duke e sharë me rimë shefin e qeverisë, “o hajdut, o kusar”. Ndërkohë, kryeministri Berisha duke shpërfillur sharjet u thotë deputetëve ta heqin nga mendja se mund t’i ndërpresin fjalën Sali Berishës, edhe “sikur etërit tuaj të ngrihen nga varri”, tha Berisha. “Imitojeni edhe ju kreun tuaj. Ai nxorri bashkëshorten lakuriq nga shtëpia, jepini zhvishuni edhe ju këtu lakuriq”, tha kryeministri, ndërsa deputetët e opozitës të irrituar janë të tërë pranë podiumit, i cili mbrohet nga garda e Republikës. Kryeministri edhe tani vijon të akuzojë opozitën, ndërkohë që ata e shajnë “o hajdut”, në një replikë të pazokontë parlamentare. mit/NOA

KOMENTE