Romë, 17 Janar NOA/ Rid Bulku - Ai kërkonte të merrte faljen për një tradhti dhe për të bindur të dashurën e tij se e kishte me të vërtetë dhe e ndjente, i vuri flakën makinës, por duke mbetur dhe vetë viktimë e zjarrit. Gjithçka ka ndodhur në kryeqytetin italian, Romë, ku protagonist ka qenë një djalë vendas 23 vjeçar, i cili ka spërkatur makinën e tij me lëngun e djegshëm duke përfshirë dhe rrobat që kishte veshur. Ndezja e zjarrit rezultoi fatale për atë. I riu ka pësuar djegie të shkallës së katërt në 95 për qind të trupit dhe tani rrezikon për të vdekur. Një provë e skajshme e dashurisë, e cila tani kërcënon të kthehet në tragjedi, atje në spitalin “Sandro Pertini” ku i riu po lufton me vdekjen. Vajza 20 vjeçare që deri dje ishte e lidhur me djalin që po dergjet në spital, ka pohuar se nuk e priste atë që ndodhi. Ajo rrëfeu për mediat italiane se e kishte pritur keq faktin se i dashuri i saj po e tradhtonte me një vajzë tjetër dhe reflektoi duke ia bërë të qartë që e dinte dhe duke i pohuar se do të ndaheshin. Një deklaratë që pasoi ngjarjen e frikshme. r.b/NOA