Shijak, 17 janar, NOA – Forcat e policisë së Shijakut në bashkëpunim edhe me ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, bënë të mundur kapjen e personit të kërkuar, 26-vjeçarit Evarist Greca, banues i këtij qyteti. Siç ato bëjnë me dije, ky person është shpallur në kërkim në muajin tetor të vitit të kaluar, pasi gjykata e Durrësit ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet për veprat penale të falsifikimit të monedhave e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Konkretisht, më datë 01.10.2010, ora 19.30, në sheshin ‘Taulantia’ të Durrësit, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rigens Maksuti dhe Romeo Çuka, të cilëve iu është gjetur e bllokuar sasia prej 94 copë kartmonedha të prerjeve 20-euro (në total 1880 Euro), të falsifikuara. Nga hetimet e kryera lidhur me këtë rast rezulton se këtë sasi kartmonedhash këta shtetas dyshohet ta kenë marrë tek Evarist Greca. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës së këtij të fundit, në dhomën e tij të gjumit u gjet e sekuestrua edhe një armë zjarri, pistoletë model 92 Auto e kalibrit 8mm si dhe 14 copë fishekë. Materialet proceduriale do t’i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës. n.e/NOA