Tiranë, 17 janar 2011, NOA – Pas një seance maratonë të mbushur me akuza e kundërakuza si dhe sharje e fyerje, parlamenti arriti të miratojë vetëm me votat e mazhorancës dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i m ministrit të Ekonomisë dhe Zv/kryeministër. Në një situatë të tensionuar ku deputetët e opozitës lanë vendet e tyre dhe u stacionuan pranë podiumit ku kryeministri fliste për arritjet dhe sfidat e qeverisë, kuvendi miratoi dekretet e Presidentit për emërimin e Edmond Haxhinastos në postin e zëvendëskryeministrit, të Nasip Naços si ministër i Ekonomisë dhe Vangjel Tavos si nënkryetar i Parlamentit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke shpërfillur sharjet e opozitës mbylli në fund të votimit, seancën e parë të këtij sesioni parlamentar, e cila do të mbetet gjatë në memorien e publikut por edhe vetë deputetëve, për shfaqjen e padenjë të përfaqësuesve të popullit.
mit/NOA