Tiranë, 17 Janar 2011 NOA – Ka nisur me një përplasje mes Berishës dhe Ruçit seanca e parë plenare në Kuvend për vitin që ka hyrë. Shkak u bë Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit, e cila krijoi situatë kaotike kur thirri njëri pas tjetrit për të folur, krerët e PD, LSI dhe grupit të PS.
Seanca e programuar të niste në orën 17.00 në të vërtetë nisi thuajse një orë me vonesë, si rëndom ndodh në thuajse të gjitha seancat plenare.
Për pak minuta, në çelje, Jozefina Topalli mbajti një fjalë të shkurtër ku vlerësoi punën e bërë gjatë sesionit të kaluar në Kuvend.
Më tej ajo shpalli rendin e ditës dhe atë trejavor të punimeve tha se për të ishte rënë paraprakisht dakord nga Konferenca e Kryetarëve.
Menjëherë më pas ajo kërkoi të dijë nëse dikush e donte fjalën dhe ia dha atë Ilir Metës.
Teksa Meta afrohej në foltore, Topalli thërret emrin e Gramoz Ruçit. Meta kthehet mbrapsht dhe Ruçi futet në foltore.
Në këto çaste teksa ai niste të fliste, ia beh Berisha i cili nisi fjalën e tij nga kolltuku ku rri kabineti qeveritar, kur duket se Topalli edhe atij ia kishte dhënë fjalën.
Këtu nisi ilariteti. Replika mes Ruçit dhe Berishës dhe paralajmëron se kjo seancë do të ishte e gjatë.
Në vijim, Topalli kërkoi që të ndërpritet seanca dhe transmetimi televiziv. Në këto çaste në foltore u afruan shumë deputetë, kryesisht socialistë dhe replikat e fyerjet nuk kishin të mbaruar.
Pak minuta më pas, kjo gjë mori fund dhe Ruçi mori fjalën që i ishte dhënë.
e.r/NOA