Tiranë, 17 Janar 2011 NOA – Vëllezërit Orik e Leart Shyti kanë reaguar sot mbi atë që e cilësojnë nisje e një fushate të re ndaj asaj që në Shqipëri, nga mazhoranca aktuale është konsideruar si “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Vëllezërit Shyti citojnë deklaratën e deputetit Dritan Prifti, sipas të cilës disa segmente të policisë dhe të prokurorisë kanë shpërndarë fjalë se ai është i kërcënuar për jetën nga “Hakmarrja për Drejtësi” dhe prandaj i kanë caktuar roje. E thënë ndryshe policia po e ruan që të mos e vrasi “Hakmarrja...”. Sipas Orik e Leart Shytit, “ajo që deklaron z. Prifti për “Hakmarrjen” është vijim i një fushate që ka rifilluar para disa ditësh dhe përkon me datën 25 dhjetor 2010, kur ne i drejtuam një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të gjykuar shkeljet ligjore dhe kushtetuese që janë bërë në një proces penal fund e krye të falsifikuar”. Më poshtë vijon deklarata e plotë e vëllezërve Orik dhe Leart Shyti: Sot, më 17.01.2011, e përditshmja “Mapo” botonte deklaratën e deputetit Dritan Prifti, sipas të cilës disa segmente të policisë dhe të prokurorisë kanë shpërndarë fjalë se ai është i kërcënuar për jetën nga “Hakmarrja për Drejtësi” dhe prandaj i kanë caktuar roje. E thënë ndryshe policia po e ruan që të mos e vrasi “Hakmarrja...”. Deklarata e z. Prifti ka tërhequr vëmendjen e publikut, prandaj ne, “themeluesit” e “Hakmarrjes”, e shohim me vend ta sqarojmë opinionin. Ajo që deklaron z. Prifti për “Hakmarrjen” është vijim i një fushate që ka rifilluar para disa ditësh dhe përkon me datën 25 dhjetor 2010, kur ne i drejtuam një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të gjykuar shkeljet ligjore dhe kushtetuese që janë bërë në një proces penal fund e krye të falsifikuar. Bashkëpunëtorët e Sali Berishës, që paguhen të bëjnë tituj në gazeta dhe ata në polici, që paguhen për të ushtruar presione me natyrë “profesionale”, duke përhapur informacione të rreme, u rivunë në lëvizje, pikërisht në ditët e fundit të vitit që kaloi, për të përcjellë në opinion “veprimtarinë kriminale” të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Shkrimet që botoi Fahriu dhe shërbëtorë të tjerë të Sali Berishës, janë kopje të atyre që kanë botuar më parë. Pra, në to thuhet se “Hakmarrja” është organizatë kriminale terroriste që ka lidhje me opozitën dhe me atë politikan të radhës që ngre zërin kundër bëmave të Saliut, që ka miqësi dhe armiqësi me persona të akuzuar për krime të rënda, të dënuar për të tilla krime etj. Shkruesit janë aq të pavëmendshëm ndaj asaj që u diktohet për ta botuar, sa nuk vënë re se të njëjtët persona, në të njëjtin shkrim, i quajnë herë miq dhe herë armiqtë tanë. E megjithëkëtë shpifjet ribotohen pa më të voglin ndryshim. Asnjë nga shenjat e pikësimit nuk zhvendoset, as në botimin e dytë dhe as në të tretin. Duket që për mercenarët nuk ka rëndësi përmbajtja. Përparësi për ta kanë titujt e vendosur në faqen e parë të gazetave, që u përcillen dëgjuesve çdo mëngjes nga mediat elektronike. Titujt synojnë të ruhet në kujtesën e publikut “Hakmarrja”, që nëpërmjet tyre, t’i thonë Gjykatës Kushtetuese: mos guxo ta gjykosh kërkesën e “Hakmarrjes...”! Të njëjtën gjë ka bërë Sali Berisha sa herë që çështja i afrohej ndonjë shkalle të gjyqësorit. Dhe ju lumtë, sepse ia ka dalë të na dënojë edhe për autobombën, edhe për vrasjet që ua kishte gjetur një herë autorët, ashtu edhe për krime të tjera. Lavdinë e tij e lartëson edhe më shumë fakti që edhe gjykata, që na gjykoi për së dyti, shkroi në vendim se, jo vetëm të gjitha provat ishin të falsifikuara dhe, rrjedhimisht, të papërdorshme, por edhe emrin “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”, bashkë me përmbajtjen e platformës së saj, e kanë shkruar bashkëpunëtorët e tij, të cilët vazhdon t’i përdorë si në vitin 1996. Në të gjitha rastet e shpifjeve për “Hakmarrjen” dhe të shantazheve që bëhen në emër të saj, nuk ka qenë e vështirë të vihet re bashkërendimi i harmonishëm i veprimeve të honxhobonxhove të Saliut që punojnë si “profesionistë” në shtyp dhe në polici. Edhe në këtë rastin e fundit, pjesën e dytë, por shumë të rëndësishme për të shantazhuar e lozin “profesionistët” e policisë. Përfundimisht janë të gjitha gjasat të thuhet se qëllimi i përdorimit të “Hakmarrjes” në këtë rast është i dyfishtë. Zoti Prifti nuk u tremb dhe ka të ngjarë që rojat t’ia heqin, por presioni mbi drejtësinë do të vazhdojë. Nuk ka vend të përgënjeshtrojmë me fjalë të drejtpërdrejta gënjeshtrat që përhapin shpifësit e vegjël nën kujdesin e Shpifësit. Aq më tepër që të gjithë e dinë se ku banojmë dhe janë me qindra ata që na i dinë numrat e telefonave, të faksit dhe adresat e postës elektronike. Tabori i tyre ndihet keq, se deri tani nuk ka arritur të gjejë qoftë edhe një njeri të vetëm që të thotë se ne e kemi kërcënuar, apo të gjejë një dëshmitar që të pohojë se na ka parë të vjedhim apo vrasim, siç na akuzojnë. Saliut dhe të paguarve prej tij nga buxheti i shtetit, ua kemi dhënë përgjigjen sa herë kanë shpifur. Ndërsa portretet e tyre i kemi botuar para pak muajve, ashtu siç i kanë bërë ata vetë, në librin “Ne, “Hakmarrja për Drejtësi” dhe...” Me respekt për lexuesit Leart Shyti Orik Shyti