English

Pasqyra e Shtypit, 17 Janar 2011

Tiranë, 17 Janar, NOA - Gazetat shqiptare janë të mbushura kryesisht me artikuj që flasin për videon Meta-Prifti, duke paraqitur reagimet e radhës së Metës dhe Ramës ndaj saj, si edhe prononcimin e Alibeajt se Rama kreu vepër penale duke e montuar atë. Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media është edhe ai i Maturës Shtetërore, përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve etj.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Letra e Dritan Priftit: Si u kthye mbrapsht rryshfeti për Albtelekomin”, i cili paraqet një letër konfidenciale të ish-ministrit të Ekonomisë. “Listat e 8 Majit me votues 151-vjeçarë”, është një artikull që citon defektet e listave të zgjedhësve. “Politika greke kërkon kthimin e Paktit Detar” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Ndryshimet/ Matura, ministria: Ja ndryshimet për vitin 2011”, i cili flet për ndryshimet e parashikuara nga ministria e Arsimit për Maturën Shtetërore. “ISSH përfundon llogaritjen, ja ushtarakët që marrin pensionin”, është një tjetër artikull i gazetës. Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “PS, sot vendimi në grup për Kuvendin”; “Plagosja e Denis Dollapit, plagoset i katërti”; “Atentati ndaj ndërtimorit, hetim për detyrën” etj.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “KQZ, rrezik kolapsi”, i cili citon qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta nxjerrë në pension nënkryetaren e Subashi. “Pangallos, vizitë me trupat greke në Shqipëri në vitin 1997: Kemi interes për stabilitet” është një artikull tjetër i kësaj gazete. Kurse “Maqedoni, mafia trafikon reliket arkeologjike shqiptare”, flet për skandalin e zbuluar në vendin fqinj, ku jetojnë shqiptarë. Dhe një tjetër artikull është ai me titullin “Prokuroria: Faturat fiktive të TVSH-së, si u faturuan 1.3 milionë euro”.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Ambasada e SHBA: Po merremi me kasetën”, i cili tregon reagimin e djeshëm të ambasadorit amerikan mbi videon Meta-Prifti. “Qeveria liberalizon vide-survejimin” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili citon vendimin për pajisjen me kamera sigurie të zyrave apo firmave. Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Fier, sulm me bombë ndërtimorit për ndërtimet”, “Shpërthen gripi, preken 2 mijë persona në ditë” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Alibeaj: Manipulimi i Videos, Rama kreu cepër penale” i cili pasqyron reagimin e djeshëm të ish-ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, mbi videon Meta-Prifti. Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Meta: PS, Partia e Spiunëve të Shqipërisë”. Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Punësim në Itali, 4500 kuota për shqiptarët”.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Hënë, 17 Janar 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE