Tiranë, 17 Janar 2011 NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi sot ndryshimet në Qeveri që erdhën pas dorëheqjes së zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Topi dekretoi shkarkimin e z.Meta dhe emërimin e z. Nasip Naço, si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i cili deri aktualisht ishte nënkryetar i Kuvendit. Kryetari i shtetit dekretoi formalisht shkarkimin e ministrit aktual të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto e po ashtu ka dekretuar edhe riemërimin në këtë detyrë si dhe në postin e zëvendëskryeministrit të vetëm në kabinetin qeveritar “Berisha”. Dekretet e sotme të Topit erdhën pasi të Premten Ilir Meta dha dorëheqjen. Po atë ditë, LSI propozoi emrat e mësipërm që pak orë më vonë u miratuan nga Berisha i cili ia përcolli po të premten Presidentit për dekretim. Sot pasdite pritet që këto emra të kalojnë për miratim përfundimtar përmes votimit në seancë plenare në Kuvend. Më tej hapi final është betimi në Presidencë që pritet të bëhet brenda kësaj jave. e.r/NOA