Tiranë, 17 janar 2011, NOA – “Ilir Metës i ka ikur mendja, siç do t’i ikte mendja çdo hajduti, që pasi kapet me presh në dorë pret të përballet me drejtësinë, por për këtë Ilir Metës ia ka fajin vetëm Ilir Meta”. Kështu iu përgjigj selia rozë ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, i cili në një prononcim të sotëm akuzoi rishtas lidershipin e PS-së Edi Rama si ideatorin e shantazhit kriminal ndaj tij përmes videos përgjuese. Në një prononcim këtë pasdite, anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, megi Ajtyresa theksoi se “E ftojmë Ilir Metën që të qetësohet dhe të bashkëpunojë me drejtësinë duke dorëzuar bllokun e duke u rrëfyer për kusaritë e tij, sepse kështu ndoshta do ta lehtësojë sado pak pozitën e tij përballë ligjit”. Më herët ish-zëvendëskryeministri Meta kishte deklaruar se “Edi Rama, tashmë kryetari i sektit të spiunëve të Shqipërisë, kjo fundërrinë e pashembullt morale e shoqërisë shqiptare, ky njeri që mohoi atësinë e të birit në gjyq, ky njeri që akuzoi babanë e tij si atin e djalit të tij, ky njeri i pander, i pafamilje, pa asnjë normë shoqërore dhe morale, synoi të bënte një puç në Shqipëri përmes një përgjimi kriminal dhe të paligjshëm”. Sipas Metës, Rama përmes një montimi kriminal dhe të pashembullt, përdori si dëshmitar një fundërrinë tjetër të paparë, i cili para se të shkarkohej e kishte akuzuar publikisht Edi Ramën përpara të gjithë shqiptarëve si një njeri, të cilin e kishte parë duke marrë kokainë në zyrën e kryetarit të Bashkisë. mit/NOA