English

QSUT, inaugurohet mamografia dixhitale

Tiranë, 17 janar, NOA - Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili së bashku me Drejtorin e QSUT-së, Saimir Ivziku kanë inauguruar mamografinë e parë dixhitale në vendin tonë.

“Kjo aparaturë është fjala e fundit e teknologjisë, e prodhuar në vitin 2010 e cila pritet të rrisë numrin e diagnostikimeve me kancer gjiri. Ky nuk do të jetë i vetmi investim për spitale, pasi edhe katër aparatura të tjera do të instalohen në spitalet e rretheve. Lidhja e tyre edhe me telemjekësinë do të bëjë të mundur konsultat e mjekëve të spitaleve rajonale me specialistët e onkologjikut. Kjo do të sjellë edhe uljen e numrit të pacientëve në këtë shërbim” tha ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili gjatë fjalës së tij.

Nga ana tjetër drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka pohuar se në institucionin që ai drejton të tjera investime të rëndësishme janë duke u kryer në aparatura dhe kjo do të bëjë të mundur një diagnostikim sa më të saktë.

“Tashmë pacientët nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë për të marrë një shërbim, pasi falë këtyre aparaturave ne do të ofrojmë gjithçka për shëndetin e tyre” ka pohuar Ivziku. Nga ana tjetër Shefi i Shërbimit të onkologjikut ka pohuar se gjatë këtyre viteve te fundit numri i rasteve me tumore ne gji është rritur ndjeshëm. Ardhja e kësaj aparature e cila bën të mundur diagnostifikimin e sëmundjes që në stadet e para, do të na mundësojë uljen e vdekshmërisë deri në 30-35 për qind.

“Sot ne numërojmë 450 deri ne 500 raste të pacientëve të prekura nga kanceri i gjirit. Në këto dy dekada shifrat janë rritur ndjeshëm, duke sjellë deri në dyfishim të tyre. Kjo aparaturë do të na mundësoje diagnostikimin e saj që kur tumori shfaqet në madhësine e 5 mm” ka pohuar Sollaku.

Sipas specialisteve të radiologjisë aparatura do të bëjë të mundur edhe marrjen e biopsisë që në momentin e kryerjes se ekzaminimit, me anë të një shiringë. Një tjetër risi është edhe heqja e tumoreve të vegjël deri në një centimetër, duke u thithur nga kjo shiringë.

Mamografia e re mund të kryeje deri në 20 ekzaminime në ditë, aq sa është edhe fluksi i pacientëve në QSUT.

NOA

KOMENTE