English

Rama: Demostrata, jo për pushtet, por për shtet

Tiranë, 17 janar, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste ka kërkuar sot në një deklaratë për mediat largimin e kryeministrit Sali Berisha. Rama u shpreh se demonstrata e datës 21 janar nuk është për të marrë pushtetin, por për të garantuar shtetin e së drejtës në Shqipëri.

“Demonstrata popullore e 21 janarit, nuk është protesta e radhës e PS. Në një rrugëtim i cili ka mbërritur në një stacion të ri, në një stacion ku populli mbarë dhe njerëzit e zakonshëm të këtij vendi duhet të marrin pjesë, pasi nuk është një demostratë popullore për pushtet, por për të pasur shtet”, tha sot Rama.

Ai u shpreh se largimi i Metës nga qeveria nuk mjafton dhe se ish-zëvendëskryeministrit nuk është problemi i vetëm i kësaj mazhorance. “Koka e korrupsionit nuk është Meta, por kryeministri”, tha Rama. Ai i ka cilësuar “ndryshimet në qeveri si qesharake dhe të turpshme”.

Duke u ndalur në situatën e fundit politike në vend, Rama u shpreh se këto sjellje të mazhorancës kanë krijuar pakënqaësi në popull.

“Të gjitha këto fyejnë thellë dinjitetin e një populli dhe meritojnë demostratën e një populli. Saliu duhet të dorëzojë bllokun e neveritshëm të pisllëqeve”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE