Tiranë, 17 janar, NOA – Kuvendi i Shqipërisë pritet që të hapë sot siparin e seancave të tij plenare për vitin 2010. Kështu, duke shënuar seancën e parë ditën e sotme, deputetët parashikohet që të japin votën e tyre kundrejt ndryshimeve në qeveri, të cilat pritet të mbërrijnë të dekretuara në Kuvend nga ana e presidentit. Ky i fundit tashmë e ka marrë propozimin për to nga kryeministri Berisha dhe sa më parë t’ia dorëzojë Kuvendit miratimin e tyre, aq edhe më shpejt ato do të ligjërohen, pasi deputetët do të japin kartonin miratues. Këto ndryshime në qeveri parashikojnë konkretisht emërimin e Edmond Haxhinastos edhe në postin e zv/kryeministrit; atë të Nasip Naços si ministër i Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës dhe të deputetit Vangjel Tavo si nënkryetar i Kuvendit. Ndërkaq, në këtë seancë janë parashikuar të miratohen edhe akte të tjera si “miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 23 dhe datë 27.12.2010; njoftim për miratimin me konsensus nga konferenca e kryetarëve të programit të punës së Kuvendit për periudhën 17 janar - 17 mars 2011; njoftim për miratimin me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve të kalendarit tre javor (17 janar - 3 shkurt 2011) të punimeve të Kuvendit; Akt Normativ nr. 6, datë 22.12.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10190, datë 26.11.2010 “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar’”. n.e/NOA