Prishtinë, 17 janar, NOA - Udhëtimi pa viza dhe statusi i Kosovës janë dy çështje të ndara dhe hezitimi i disa shteteve për t’i liberalizuar vizat me Kosovën ka të bëjë me frikën nga imigrimi ilegal, thotë analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Aleksandra Shtiglmajer. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shtiglmajer thotë se nëse BE-ja do që të jetë kredibile, duhet të hapë sa më shpejt dialogun për viza me Kosovën.
Zonja Shtiglmajer, Kosova është i vetmi shtet në Ballkan, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në Evropë. Prisni ndonjë lëvizje në këtë vit? Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të jetë kredibil, duhet të hapë sa më shpejt që të jetë e mundur dialogun e vizave, sepse në nëntor Komisioni Evropian njoftoi se do të hapë dialogun për vizat së shpejti. Së shpejti nënkupton në njërën nga këto ditë. Pastaj, si hap i ardhshëm, Komisioni do të duhej t’ia dorëzonte Kosovës shumë shpejt udhërrëfyesin e vizave, që i rendit në mënyrë të saktë të gjitha kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë, për të siguruar regjimin e lirë të vizave. Është e rëndësishme që këto kushte të jenë të njëjta me ato që i kanë marrë 5 shtetet tjera të Ballkanit dhe që Kosova të mos konfrontohet me kushte shtesë dhe të reja. Ekziston mundësia që të ketë kushte të reja shtesë për Kosovën? Është e mundur, pasi që udhërrëfyesi është i ‘prerë’ për situatën e secilit shtet. Por, nëse shihni se çka është dashur të bëjnë 5 shtetet tjera, ka qenë vetëm një përshtatje e situatës në secilin shtet. Do të ishte jokorrekte nëse Kosova përballet me kushte të tjera, që nuk kanë të bëjnë asgjë me ato kushtet që është dashur t’i përmbushin shtetet tjera. Kosova po pret krijimin e institucioneve të reja dhe marrë parasysh parregullsitë në zgjedhje dhe vlerësimet negative të vëzhguesve, a mendoni se kjo do ta vonojë Kosovën në marrjen e udhërrëfyesit? Është rrezik që një vlerësim negativ ta shtyjë procesin. Vitin e kaluar, kur Shqipëria dhe Bosnja duhej të liberalizonin vizat, ka pasur diskutime për zgjedhjet në Bosnjë dhe për krizën politike në Shqipëri, si dhe nëse ato rrethana justifikonin pajtimin e BE-së për regjimin e lirë të vizave për këto shtete. Ajo që mund të ndodhë është që Komisioni të presë derisa të formohet qeveria e re, sepse qeveria e re duhet t’i zbatojë reformat dhe t’i plotësojë kushtet. Pra, dorëzimi i strategjisë për vizat mund të presë deri në atë kohë. Por, nuk ka arsye për Komisionin që të mos përpilojë strategjinë tash, në mënyrë që t’ia dorëzojë qeverisë menjëherë kur ajo të formohet. Keni thënë se shtetet që e kanë njohur Kosovën po bëjnë më shumë probleme për liberalizimin e vizave, sesa shtetet që nuk e kanë njohur. Cilat janë këto shtete dhe pse po hezitojnë? Çështja e statusit është problematike, por edhe në dhjetorin e kaluar e edhe në atë të 2009-ës, ministrat e BE-së u pajtuan dhe i vendosën në letër të ashtuquajturat konkluzione, se Kosova duhet të përfitojë nga liberalizimi i vizave. Pra, fakti që pesë shtete anëtare nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e pengon BE-në nga përpilimi i kërkesave për liberalizim. Kjo është treguar me shembullin e Tajvanit, shtet që nuk është njohur nga asnjë shtet i BE-së, por që nga 11 janari tajvanezët mund të udhëtojnë lirshëm pa viza në BE. Kjo tregon se udhëtimi pa viza dhe njohja e pavarësisë janë çështje të ndara. Arsyeja e vërtetë e hezitimeve të shteteve evropiane është frika nga migrimi, pasi që gjatë luftës së vitit 1998/1999 shumë njerëz ikën në Evropë dhe u desh një kohë e gjatë, për shembull për Gjermaninë, që t’i kthejë ata në Kosovë. Eshtë një komunitet i madh i kosovarëve në disa shtete të BE-së, i cili natyrisht i tërheq njerëzit tjerë. Ekziston frika se njerëzit mund të fillojnë të punojnë ilegalisht, të merren me ekonominë gri etj. Megjithatë, ka mundësi të bëhet diçka në lidhje me këtë. Fakti se tani ekziston ky problem, nuk nënkupton se ky do të jetë problem edhe pas disa vitesh, pasi që Kosova t’i zbatojë reformat dhe kushtet e kërkuara për udhëtimin e lirë pa viza. Ne e shohim si shumë diskriminuese atë që mund të jetë frikë nga diçka, që është disa vite larg. Pra, vetëm hipoteza se liberalizimi i vizave çon në imigrim ilegal mund ta pengojë BE-në që tash të fillojë procesin, nga i cili do të kishte vetëm përfitime, sepse Kosova do të motivohej të punonte me EULEX-in, do të ishte më efektive në luftimin e krimit dhe korrupsionit, BE-ja do t’i afrohej Kosovës dhe do t’i tregonte se kujdeset për të, se i ka ofruar diçka... Ka shumë, shumë arsye se pse është e rëndësishme që t’i ofrohet tash udhërrëfyesi i vizave Kosovës. ESI shpeshherë ka ngritur zërin kundër izolimit të Kosovës. Cilat do të jenë pasojat e izolimit aktual? Ka shumë konsekuenca. Së pari, vetë kosovarët mund të ndjehen të diskriminuar dhe të trajtuar si qytetarë të klasës së dytë, të refuzuar nga Evropa. Mund të ushqehen ndjenja anti-BE, se Kosova nuk është gati t’i përqafojë reformat që do ta çonin më afër BE-së. Dhe, në gjërat që i ndjek EULEX-i, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosova mund të ketë interes më të vogël që të punojë së bashku me EULEX-in, sesa po të kishte motiv nga udhëtimi i lirë pa viza. Por, frika më e madhe është se fryma anti-evropiane mund të reflektohet në politikë, në nivelin politik. REL