Tiranë, 18 Janar 2011 NOA - Shoqëria civile shqiptare operon me kapacitete organizative relativisht të zhvilluara që përfaqësojnë faktorë mbështetës për praktikimin e përgjithshëm të vlerave të shoqërisë civile. Niveli mjaft i ulët i aktivizimit qytetar dhe performanca e dobët e shoqërisë civile (e orientuar drejt financimeve të donatorëve) për t’u mbështetur në nevojat dhe prioritetet e kontekstit lokal, duket se janë arsyet kryesore për ndikimin e kufizuar në lidhje me proceset politikëbërëse dhe zhvillimin social. Për të diskutuar rreth këtyre dinamikave, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me drejtues dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri, specialistë të institucioneve publike relevante dhe përfaqësues të botës akademike mblidhen nesër në 09:30 për të trajtuar çështje me interes si angazhimi qytetar dhe impakti që realisht ka sot shoqëria civile në vendim-marrjen qendrore dhe vendore. Në kuadër të këtij aktiviteti IDN do të publikojë një dokument politikash të titulluar “Një Axhendë Veprimi për Shoqërinë Civile: Rruga drejt Rritjes së Ndikimit dhe Angazhimit Qytetar” në të cilin përmblidhen dhe adresohen disa çështje kyçe për shoqërinë. Dokumenti i ofron diskursit publik një mori faktesh dhe shifrash në lidhje me çështje me interes publik ndër të cilat spikasin qëndrimet ndaj principeve demokratike, niveli i diskriminimit dhe intolerancës ndaj kategorive të caktuara si Romët apo minoritetet seksuale. Më pak se 50% e organizatave të anketuara i konsiderojnë të rëndësishme nevojat dhe prioritetet e grupeve të ndryshme sociale (komunitetet e marxhinalizuara) dhe të interesit. Ndërkohë vetëm 18.4% e qytetarëve janë anëtarë aktivë të organizatave sociale të shoqërisë civile. Skepticizmi i përhapur tek qytetarët ndaj angazhimit dhe opinioni mbizotërues se “ndryshimi vjen nga lart” duket se janë pasojë e shqetësimeve në lidhje me qeverisjen e shoqërisë civile por edhe me nivelin e ulët të besimit tek proceset dhe aktorët politikë bërës. e.r/NOA