Milano, 18 Janar 2011 NOA - “Rruga që kemi përshkruar deri tani ka qenë shumë e gjatë. Por, duke marrë në konsideratë kushtet në të cilat e nisnim rrugëtimin tonë, Shqipëria ka përparuar më me shpejtësi se vendet e tjera”.
Këtë vlerësim të guximshëm ka bërë kryeministri shqiptar Sali Berisha ndërsa ndodhet sot në Itali, në Forumin Ekonomik të Milanos.
Duke folur në një intervistë për të përditshmen italiane “Il Sole 24 ore”, Berisha kujtoi faktin se 20 vite më parë, në kohën e rënies së komunizmit, ishim realiteti më i varfër në Evropë dhe shtoi: “Sot rritja e GDP-së është 3.3% në vit, inflacioni është 2.2”. Sipas Berishës, “të gjitha këto na bëjnë të jemi optimistë”.
Kryeministri më tej u ndal në lidhjet ekonomike shqiptaro-italiane: “Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë shumë të ngushta. Italia është vendi kryesor për eksportet shqiptare me 58 % në vitin 2009, në 71% në vitin 2010. Nga të gjitha rajonet e Italisë, rajoni i Lombardisë është i dyti mbas atij të Puglias nga bashkëpunëtorët ekonomikë kryesorë. Dhe kjo na gëzon pa masë”.
Këtu Berisha sugjeroi se “dëshirojmë të forcojmë prezencën e kompanive të vogla të mesme që ndodhen në vendin tonë si në ndërtim, në tekstile dhe këpucë, me ndihmë e kompanive financiare prezente në Shqipëri si banka e Gruppo Veneto dhe Intesa San Paolo, për të tërhequr të tjera kompani aktive në sektorin e energjisë, hidroelektrik, atë eolik etj.”.
Berisha është ndalur tek investimet italiane në Shqipëri dhe bashkëpunimi në fusha prioritare si turizmi dhe energjia. Sipas tij Italia mbetet vendi kryesor sa i përket eksporteve shqiptare, që shënjuan rritjen më të madhe ekonomike ndër 20 vjet. Kryeministri ka përmendur gjithashtu potencialet e mëdha që ofron Shqipëria në fushën turizmit, duke ftuar biznesin e Lombardisë të bëhet pjesë e investimeve në këtë sektor. “Vendi ynë ofron mundësi të shumta për biznes, ka një bregdet të mrekullueshëm dhe është i hapur për turizëm, është i pasur më pasuri natyrore dhe është një “parajsë” për energjinë alternative. Jemi duke i dhënë vendit infrastrukturën, rrugët dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për të tërhequr biznesmenët e huaj. Mbetet vetëm vështirësia për të zgjedhur”., - pohoi z.Berisha. I pyetur nga gazeta “Il Sole 24 ore”, lidhur me imazhin e Shqipërisë 20 vjet pas eksodit masiv, kryeministri thotë se vendin e këtij realiteti e ka zënë ai i një vendi në zhvillim. “Shqipëria nuk është më vend i anijeve të vjetra të mbushura me mjerim dhe klandestinë të hedhur në bankinat e Portit të Barit 20 vite më pas, duhet të zëvendësojmë këtë imazh të ngulitur në memorien kolektive me atë të një vendi në gjendje për t'i ofruar kompanive italiane shumë mundësi biznesi” Lidhur me mundësitë që ofron Shqipëria për të gjithë emigrantët shqiptare kryeministri Berisha tha se qeveria mbetet e hapur për të gjithë të talentuarit që duan të angazhohen në vendin e lindjes. “Ne i duam këtu (në Shqipëri) qytetarët tanë. I duam të kthehen në shtëpi talentet tona. Pa bërë asnjë diferencë për vendet në të cilat kanë emigruar, Greqi apo Itali. Për të gjithë ka një program të cilin e kemi quajtur Brain Gain, i cili përbën për ne një faktor shumë të rëndësishëm, ka financime të palimituara, gati në rast se këta qytetarë shqiptarë të talentuar do të trokasin në dyert tona, që për ta janë dhe do të mbeten gjithmonë të hapura”.
Sakaq, Kryeministri Berisha iu adresua me një fjalë sot paradite Forumit Ekonomik Shqipëri-Itali, i cili u zhvillua në Pallatin Turati në Milano, me pjesëmarrjen e rreth 100 biznesmenë shqiptarë dhe 100 përfaqësues të sipërmarrjeve italiane. Berisha prezantoi atje, zhvillimet ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë.
j.m/NOA