Tiranë, 18 Janar 2011 NOA/ Rid Bulku - Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i shoqëruar nga deputetët Fatos Hoxha dhe Genti Strazimiri, zhvilloi një vizitë dyditore në Afganistan për të takuar kontingjentet shqiptare që ndodhen atje në kuadër të operacionit ISAF, si dhe me autoritetet e larta ushtarake drejtuese të këtij operacioni të NATO-s. Ndalesën e parë Ministri Imami e bëri në Kabul, në Komandën Qendrore të ISAF-it, ku u prit në një takim të veçantë nga Komandanti i Përgjithshëm, Gjeneral Major Petreaus. Imami pohoi se Forcat Speciale janë krenari e FA dhe ambasadorë të rëndësishëm të imazhit të Shqipërisë kudo në botë, duke i cilësuar edhe si ambasadorë të rëndësishëm të mesazhit të paqes. Më tej, Arben Imami tha: “Forca jonë e ka kryer me sukses me trimëri, me disiplinë, me përkushtim të madh një mision të rëndësishëm dhe të vështirë. Dua patjetër që të informoj publikun e gjerë që vlerësimi i komandave më të larta, duke nisur nga komandanti i stafit Gjen. Petreaus dhe të gjithë me radhë, më kanë përgëzuar mua si anëtarë i qeverisë dhe si përfaqësues i Forcave tona të Armatosura, për punën e shkëlqyer që Forcat Speciale kanë bërë në Afganistan dhe me të vërtetë mund të mburremi dhe mund të themi që Forcat tona Speciale janë jo vetëm krenaria e Forcave tona të Armatosura por janë edhe ambasadorë të rëndësishëm të imazhit të Shqipërisë, janë ambasadorë të rëndësishëm të mesazhit të paqes, që Shqipëria padyshim e mëton e lëshon, e rrezaton sot jo vetëm në rajon, por edhe në botë”. Më tej Gjen e njohu Ministrin Imami me gjendjen aktuale në Afganistan, zonat e operacioneve, si edhe strategjitë e veprimet që po merren nga ana e koalicionit dhe forcave të NATO-s për arritjen e suksesit. Në fund të takimit ai falënderoi dhe vlerësoi maksimalisht kontributin që forcat e armatosura shqiptare po japin në Afganistan si edhe mbështetjen që atyre u jepet nga parlamenti dhe qeveria shqiptare. I pranishëm takime, Genti Strazimiri tha: “Është një përshtypje dhe një krenari që të gjithë bashkë e ndjemë, është fakti që të gjithë komandantët amerikanë që takuam thonin se ushtarët tanë kanë mësuar shumë nga eksperienca, vullneti dhe kurajoja e ushtarëve të huaj. Ishte diçka e sinqertë, nuk ishte thjesht një kompliment. Ishte vërtet fryt i kurajos, profesionalizmit dhe i punës suaj dhe për këtë të gjithë shqiptarët jemi mirënjohës”. Ministri Imami dhe deputetët Strazimiri e Hoxha, u takuan me një grup ushtarakësh shqiptarë që kryejnë detyrat në Kabul, të cilët i përshëndeti në emër të kryeministrit Berisha, Shtabit të Përgjithshëm të FA, si edhe i përgëzoi për punën e bërë dhe fjalët e mira e vlerësimet e bëra nga Komanda Qendrore. *** Nën masa të rrepta sigurie vizitën e dytë, Ministri Imami e zhvilloi në Kandahar, ku forcat speciale shqiptare janë të angazhuara për herë të parë në operacion luftimi krah për krah forcave speciale amerikane të brigadës 525. Në takimin me Komandantin e Komandës Rajonale të Jugut, Gjen.Majorin amerikan Terry, ky i fundit shprehu vlerësimet më të larta për forcat speciale shqiptare, për kurajën dhe profesionalizmin që tregojnë në kryerjen e detyrave. Gjen. Terry falënderoi për kontributin e Shqipërisë në ISAF e veçanërisht atë të forcave speciale shqiptare në këtë zonë luftimi e me rreziqe të shumta. Ai shprehu kënaqësinë që specialistët amerikanë e shqiptarë luftojnë krah për krah njëri-tjetrit dhe i kryejnë detyrat si të barabartë. Ai premtoi gjithashtu mbështetjen e tij dhe të SHBA-së për kontingjentin shqiptar të forcave speciale. Imami u informua për zonën e operacionit, aktivitetin e përbashkët të forcave speciale, sukseset e arritura, vështirësitë dhe rreziqet me të cilat përballen, si edhe strategjitë për të ardhmen në luftën kundër talebanëve dhe arritjen e suksesit. Më pas Ministri Imami pati një takim e bashkëbisedim të ngrohtë me kontingjentin e forcave speciale në Kandahar. Më pas ai përcolli përshëndetjen e Kryeministrit Berisha, të Shtabit të Përgjithshëm, për të gjitha nivelet e NATO-s dhe komandës së ISAF për forcat speciale shqiptare. Aktualisht forcat tona kryejnë operacione të përbashkëta në Kandahar, Herat, Kabul, Komandën Rajonale të Veriut, krah për krah me Kontingjentet e SHBA, Italisë, Gjermanisë, Turqisë e Hungarisë. r.b/e.r/NOA