Pejë, 18 janar 2011, NOA – Policia e Kosovës ka prangosur tre persona që akuzohen për shpërdorim detyre dhe marrje rryshfeti për lirimin e disa të burgosurve, të cilët nuk kishin përmbushur kriteret për lirimin me kusht. Ka qenë njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe korrupsionit në Pejë që arrestoi Bajram Z. i lindur në vitin 1955, banues në Prishtinë, Burim Z. i lindur në vitin 1974 me banim në Prishtinë si dhe Bajram Sh. me vendbanim në Fushë Kosovë.
Sipas policisë së Pejës tre të dyshuarit u arrestuan pas marrjes së informacionit nga burgu i Dubravës në Istog, ku akuzohej paneli për lirimin me kusht të të dënuarve se po merrte rryshfet për lirimin e të dënuarve.
Lidhur me këtë informacion u njoftua Prokuroria Publike e Prishtinës, nga e cila u dha edhe urdhëresa me shkrim për zhvillimin e hetimeve paraprake.
I dyshuari Bajram Z. deri në momentin e arrestimit ishte i punësuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në Prishtinë, njëherësh ai ka qenë i angazhuar si anëtar i panelit për lirimin me kusht të personave të dënuar pranë Ministrisë së Drejtësisë, në periudhën kohore 2006-2010.
Gjatë kësaj periudhe duke keqpërdorur detyrën zyrtare si anëtar i panelit, si dhe duke pranuar rryshfet nga i dyshuari Burim Z. Vëlla i tij ka liruar persona të burgosur pa plotësimin e kritereve për lirimin me kusht.
Bëhet me dije se i arrestuari Burim Z. deri në momentin e arrestimit ishte i punësuar në Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës si shofer.
Ai dyshohet se ka ndërmjetësuar fillimisht në gjetjen e familjeve të personave që janë në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës dhe më pas ka caktuar shumat e të hollave për lirimin e tyre, shuma këto të cilat ia ka dorëzuar të arrestuarit tjetër me të cilin bashkëpunonte, vëllait të tij Bajram Z..
Gjatë kësaj periudhe kohore i dyshuari Burim Z. Kishte mbajtur kontakt telefonik me të burgosurit dhe panelistët.
Ndërkohë që Bajram Sh. dyshohet se ka qenë i angazhuar edhe ai në gjetjen e personave që vuanin dënimin në burgun e Dubravës, dhe ka ndërmjetësuar në lidhjen e marrëveshjeve për lirimin e tyre.
Tre të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.
mit/NOA