English

Mos është e vogël ombrella e shpëtimit prej 750 miliardë eurosh?!

Berlin, 18 janar, NOA - Kjo pyetje si dhe mundësia e zgjerimit të ombrellës së shpëtimit për vendet me probleme të mëdha buxhetore ishin në qendër të takimit të ministrave të Financave të 17 vendeve të eurozonës. Perspektiva ende e paqartë.

Pas takimit të ministrave të Financave të 17 vendeve të eurozonës ende nuk është e qartë se ç'vendim do të merret në lidhje me paketën për shpëtimin e euros në takimin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive më 4 shkurt. Duhet zgjeruar apo jo fondi 750 miliardësh? Opinionet në këtë pikë ndahen.

Ombrella e shpëtimit doli në dritë, kur në fillim të vitit të kaluar Greqia u ndodh thuajse të prag të falimentimit shtetëror. BE dhe FMN e ndihmuan me një paktë emergjence prej mbi 110 miliardë eurosh. Por zgjerimi i krizës së borxheve e bëri të domosdoshëm krijimin e një mekanizimi të qëndrueshëm. Për këtë në pranverën e vitit 2010 u krijua një fond shpëtimi, i cili ofron borxhe për vendet në krizë. Irlanda ishte vendi i parë që mori prej këtij fondi të ri një ndihmë prej 85 miliardë eurosh. Aktualisht ky fond ka një vëllim prej 750 miliardë eurosh.

Gjermania kundër zgjerimit të fondit të shpëtimit

Por si Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni i BE-së janë të mendimit se ky fond emergjence duhet shtuar. Javën e kaluar presidenti i komisionit të BE-së José Manuel Barroso kishte kërkuar zgjerimin e ombrellës së shpëtimit prej 750 miliardë eurosh.

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble bëri thirrje për qëndrim të matur. Ai tha se për momentin ombrella e shpëtimit nuk është në stres. Fondi funksionon dhe është në rrugë të mbarë, tha ministri Schäuble duke sqaruar se qeveria gjermane ishte çuditur prej kërkesës së Barrosos, sepse deri tani nuk janë përdorur as 10% e këtij fondi, i cili parashikohet të ekzistojë një herë për një herë deri në vitin 2013.

Wolfgang Schäuble e hodhi sërish poshtë kërkesën për shtimin e sasisë së parave që kanë në dispozicion ombrella e shpëtimit, duke theksuar se është i hapur për shtimin e sasisë së parave që i vihet në rast nevoje në dispozicion një shteti të zonës së euros.

Edhe ministri austriak i Financave Josef Prëll u shpreh se për momentin nuk sheh ndonjë nevojë për zgjerimin e fondit. Si edhe shumë ministra të tjerë Prëll kërkoi "një shtim të efektivitetit" në mënyrë që bëhet i mundur shfrytëzimi më i mirë i sasisë së këtij fondi, që përdoret si garanci për marrjen e kredive të tjera.

Kërkesë për zbatimin rigoroz të Paktit të Stabilitetit

Për të mundur që të sigurojnë kredi me përqindje të ulët në tregjet ndërkombëtare të financave vendet e eurozonës duhet të kenë si garanci një shumë prej 440 miliardë eurosh. Në këtë mënyrë sasia që mbetet në dispozicion prej ombrellës së shpëtimit prej 750 miliardë eurosh dhe e cila mund të merret borxh në rast nevoje prej vendeve anëtare të eurozonës është vetëm 250 miliardë euro. Të pranishmit në takim kërkuan që të punohet më fort për respektimin dhe zbatimin e rregullave të Paktit të Stabilitetit të Euros, në mënyrë që të gjitha vendet të reduktojnë deficitet e tyre, që të forcohet aftësia konkuruese dhe që të përmirësohet harmonizimi ekonomik në Evropë. Pas takimit nuk është e qartë se ç'vendim do të merret në lidhje me paketën për shpëtimin e euros në takimin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive më 4 shkurt.

DW

KOMENTE