English

Ngjela: Saliu dëshmoi se ka kaluar në krizë mendore

Tiranë, 18 janar 2011, NOA – Degjenerimi në sharje dhe fyerje të ulëta i seancës së mbrëmshme të Kuvendit, e para që çeli sesionin e ri parlamentar është cilësuar nga Kryetari i Partisë për Ligj e Drejtësi, Spartak Ngjela, përfaqësues i Opozitës së Bashkuar si një shfaqje që dëshmoi për kalimin në krizë mendore të kryeministrit Sali Berisha. “Në pritje të datës 21 janar konstaton sidomos nga shfaqja e djeshme në parlamentin shqiptar se kjo maxhorancë, përkatësisht ky kryeministër, ka kaluar nga një krizë morale dhe institucionale njëherësh në një krizë mendore”, theksoi në një prononcim për mediat avokati Spartak Ngjela.

Sipas tij, protesta e 21 janarit do të tregojë nëse ka opinion publik në Shqipëri që t’i përgjigjet abuzimit me pushtetin dhe marrëzisë së pushtetit.

“Dëgjojeni logjikën e marrëzisë aktuale të kryeministrit Sali. Ministria Saliut, ministri i Saliut, zyra e ministrit të Saliut, zv. Kryeministri i Saliut, policët që ruajnë ministrinë e Saliut, biles nga fshati i Saliut shumica dhe nga fshatrat rreth fshatit të Saliut, por incizimin e ka bërë Rama. Ky është një silogjizëm i Shvejgut, pra i marrëzisë. Fakti që bën silogjizëm të tillë të marrë, tregon se di të vërtetën. Fakti që di të vërtetën dhe e mbulon atë do të thotë që është i implikuar edhe ai në këtë aferë. Fakti që është i implikuar në këtë aferë, duhet të largohet një orë e më parë”, tha avokat Ngjela.

Kreu i PLD-së tha se protesta e 21 janarit do t’u japë mundësinë dhe të drejtën shqiptarëve të votojnë të lirë, të kenë prosperitet dhe perspektivë në vendin e tyre.

“Të mos ju thonë se jeni më të pasurit në botë, kur janë dhe e dimë që jemi më të varfrit në Ballkan. Jo tre milion turistë të huaj s’kanë ardhur në Shqipëri, ju garantoj se vjet nuk kanë kaluar as dallëndyshe”, nënvizoi avokati.

Në emër të Opozitës së Bashkuar ai i bëri thirrje popullit të ngrihet për t’i dhënë fund këtij pushteti.

“I bëj thirrje opinionit publik shqiptar të kthehet tek ndjesitë perëndimore dhe të personalitetit në mënyrë që të krijojmë edhe ne qeverisjen tonë me dinjitet për të ngritur personalitetin e shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar në këtë komunitet ndërkombëtar”, përfundoi deklaratën e tij, përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela.

mit/NOA

KOMENTE