Tiranë, 18 janar, NOA – Partia Demokratike ka sulmuar sot ashpër kryetarin e PS-së, Edi Rama duke e akuzuar atë për korrupsion dhe për montim të videos së përgjuar mes Priftit dhe Metës.
Deputetja e PD-së, Ledina Alolli tha se kreu i PS-së nuk mund t’u bëjë moral shqiptarëve.
“Jam sot këtu për t’u rikujtuar shqiptarëve, se një akt të tillë të ulët Edvin Kristaq Rama, apo zoti 20 përqindësh e bën, sepse ai ndan të njëjtin moral të të atit të tij, i cili firmoste ekzekutime dhe varje të kundërshtarëve politike. Ndaj dhe sot ky pinjoll i tij dëshmon se, është i aftë të ndërmarrë çdo falsifikim, shpifje, apo trillim ndaj kundërshtarëve të tij. Videon për të akuzuar Kryeministrin e montoi Edvin Kristaq Rama, sepse ai ka moralin e ulët të djalit që ka paditur në Gjykatë, babain e vet, si baba të fëmijës së tij dhe nuk ka pranuar të bëj analizat për të faktuar akuzën monstruoze, ndaj të atit”, tha ajo.
Alollui u ndal edhe në grevën e urisë duke deklaruar se Rama ka shpërdoruar vullnetin e socialistëve.
“Videon për të akuzuar Kryeministrin, bllokmeni 20 përqindësh apo kryeçimka e Partisë Socialiste, e montoi ai, sepse është i vetmi politikan ne Evropë, që për të bllokuar vizat dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, ndërmori bojkote, protesta kutie, greva orgjie dhe dështoi trupërisht, si e meritonte, ndërsa shqiptarët lëvizin sot të lirë në mbarë Europën”, tha sot Alolli.
a.k/NOA