English

Pollo: Rama po e nxjerr PS-në nga shinat

Kuçovë, 18 janar, NOA - Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në rrethin e Kuçovës, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, i shoqëruar nga deputetët e Beratit, Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi, janë ndalur sot në Kuçovë, për të festuar me simpatizantë, pjesëtarë të grupit nismëtar dhe të zgjedhur vendorë, themelimin edhe në këtë rreth të degës së partisë së parë opozitare në vend.

Gjatë fjalës së tij, ministri Pollo kujtoi atë se çfarë kishte ndodhur 20 vite më parë në Kuçovë, ku, së pari, një ndeshje sportive ishte kthyer në lëvizje spontane si fillim dhe më pas diçka më shumë kundër regjimit.

Më tej ministri Pollo tha se “Kuçova e ka shënuar veten e vet në regjistrin kundër diktaturës, kështu që, ashtu si kudo, Partia Demokratike, do të lindte edhe në Kuçovë, dhe është rasti për të përkujtuar me nderim dhe respekt tërë ata që do të krijonin këtu, në një klimë jo të lehtë, degën e parë të Partisë Demokratike”.

Gjithashtu, ai foli edhe për situatën e sotme politike që po kalon vendi.

“Ne sot jemi përballë sfidave të reja, - tha ai, -Sot, për fat të keq, kemi një opozitë problematike, e cila nuk kryen rolin e saj, sepse Edi Rama po e nxjerr Partinë Socialiste nga shinat politike, po mohon çdo lloj norme dhe etike, duke i vënë socialistët përpara një dileme të vështirë, që në 8 maj ose të votojnë për Partinë Socialiste ose të votojnë për të shëndoshur partinë e tyre, e cila po kthehet në një parti të sëmurë, me periudha të çrregullta, që herë pas here në mënyrë të mërzitshme ofron tubime, gjoja, kërcënuese”.

“Është rasti, që jo vetëm të promovojmë njerëzit tanë, - tha më tej gjatë fjalës së tij ministri Pollo, - por edhe t’i sqarojmë socialistët e ndershëm për problemin që kanë dhe për mënyrat e mundshme të shërimit”.

Në fund të fjalës së tij, ministri Pollo theksoi sfidën e përbashkët të demokratëve më 8 maj, ku duhet të punohet për kandidatët e PD-së, të cilët janë të shkëlqyer dhe të dashur për të gjithë komunitetin dhe shprehu sigurinë e tij për një fitore të konsiderueshme në disa prej njësive vendore të rrethit të Kuçovës.

n.e/NOA

KOMENTE