English

Prifti: Meta i bën shantazh Berishës, ja sms Meta-Rama

Tiranë, 18 janar, NOA – Ish-ministri i Ekonomisë ka hedhur sërish akuza të forta ndaj kryetarit të LSI-së. Në një konferencë për mediat, Prifti ka thënë se Meta i bënë presion Berishës me tre votat. Në lidhje me shantazhin që pretendon Meta se i është bërë me videon për tu bashkuar me PS-në, Prifti jep një tjetër variant.

Prifti tha se Meta ka kontakte të përhershme me Ramën dhe se e ka pasur në plan vet largimin drejt PS-së. Ai ka publikuar dhe një sms (mesazh) që Meta ja ka dërguar Ramës me një person tjetër pas largimit të Priftit nga funksionet publike.

“Sms që ja dërgon Meta –Ramës me anë të një personi që punon te kullat binjake, se kështu komunikojnë ata. ‘Vëlla, e pe si e degjenerova Tan Priftin, ashtu do u’a bëjë të gjithëve, të mazhorancë. Nga Dragobia po zhgënjehem”, deklaroi Prifti. Emri Dragobia, sipas Priftit i korrespondon kryeministrit Sali Berisha.

Prifti ka thënë se Prokuroria duhet të hetojë. Ai tha se ka marrë kërcënime dhe duhet të mendojë për familjen e tij. “Unë kam marrë kërcënime nga Ilir Meta që u thotë miqve të mi se do ta marrë vet kallashnikovin dhe do ta vras”, tha ai.

Prifti tha se nëse nuk ka një reagim nga prokurori ai nuk do të bëjë me padi të tjetra. “Nëse drejtësia do të veprojë drejt me denoncimet e mia, unë do të kem besim të vazhdojë misonin tim. Nëse jo, unë nuk kam motiv për të vazhduar luftën që kam nisur, sepse edhe unë jam familjar dhe unë kam fëmijë. Nuk është e lehtë të luftosh i vetëm për të denoncuar një bandë hajdutësh”, tha ai.

Prifti tha se “në asnjë rast nuk i kam bërë shantazh Metës për të përdour videon që të bëhej koalicion me PS”.

a.k/NOA

KOMENTE