English

Prishtinë, prangoset vrasësi i një polici në vitin 2007

Prishtinë, 18 janar 2011, NOA – Një i dyshuar për vrasjen e një polici të Kosovës në vitin 2007 është prangosur dje rreth orës 16:00 pranë parkingut “Flamurtari” tek kuarti Santea në Prishtinë. Policia e Kosovës bëri me dije se ishte informuar dje për një vrasje të mbetur në tentativë, për të cilën dyshohej si autor 28-vjeçari Rrahim Abdullahu, lindur në Prishtinë.

Pasi arrestoi Abdullahun policia ka vërtetuar se për të njëjtin ekziston edhe një urdhër arresti i lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, pasi Rrahim Abdullahu është i dyshuar edhe për vrasje e rëndë, të zyrtarit të policisë, Triumf Riza, një vrasje e ndodhur në 30.08.2007.

Sipas policisë i arrestuari është dërguar në qendrën e paraburgimit për vrasjen e policit, ndërkohë që për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë ai do të procedohet nga Njësiti rajonal i hetimeve të Prishtinës.

Mbi arrestimin e Rrahim Abdullahut është njoftuar edhe prokurori përgjegjës i Prokurorisë Speciale EULEX, për hetimin e vrasjes së policit Triumf Riza.

mit/NOA

KOMENTE