Tiranë, 18 janar, NOA – Partia Socialiste ka reaguar sot për deklaratat e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i cili e vlerësoi vidion si një montazh. Anëtarja e Asamblesë së PS-së, Megi Ajtyresa tha për mediat se “sa më shumë flet Ilir Meta, aq më e madhe bëhet revolta në shpirtin e shqiptarëve të vjedhur e të tallur prej kësaj qeverie kusarësh e matrapazësh të paparë”.
Ajo u shpreh se vendi dhe qytetarët janë të rrezikuar nga qeverisja aktuale dhe se në datën 21 janar shqiptarët duhet të protestojnë ndaj kësaj mazhorance.
“Sa më shumë flet Ilir Meta aq më i kthjellët duket rreziku i madh që e kërcënon këtë vend prej maskarallëkut në pushtet. Sa më shumë flet Ilir Meta aq më i ndyrë duket ai bllok kusarësh në duart e qeverisë që Saliu do ta mbajë në këmbë si një monument turpi për çdo shqiptar të zakonshëm, socialist a demokrat qoftë”, tha ajo.
Ajtyresa u ka bërë thirrje të rinjve dhe të rejave në vend që të marrin pjesë në demonstratën e 21 janarit.
“Sa më shumë flet Ilir Meta aq më të shumtë duhet të jenë në demonstratën e 21 janarit prindërit që s’duan ti lënë fëmijët në duart e pista të kësaj qeverie, të rejat e të rinjtë e këtij vendi që s’duan ta lënë më qeverinë e kusarëve të vjedhë ëndrrat e shpresat e tyre, çdo shqiptar që s’do ta lërë më këtë qeveri të turpit të tallet me jetën e hallet e tij”, tha sot Ajtyresa.
a.k/NOA