English

Rama flet me vargjet e Dritëroi për …çmendjen

Tiranë, 18 janar 2011, NOA - Marrosja e mbrëmshme e Saliut, që fliste përçart për plazhe duke u kërkuar deputetëve të zhvisheshin lakuriq, madje të binin edhe gratë e tyre para tij, ishte në të vërtetë thirrja më e fortë, më e thellë, më jehuese për popullin në demonstratë. Mbrëmë Shqipëria pa me zë e me figurë në sallën e parlamentit të saj shëmbëlltyrën jetësore të vargjeve të Dritëro Agollit: Në vendin tim, në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë i çmend....

Nga Edi Rama

Mbrëmë Shqipëria pa me zë e me figurë në sallën e parlamentit të saj shëmbëlltyrën jetësore të vargjeve të Dritëro Agollit: Në vendin tim, në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë i çmend.

Grabitja e votave, vjedhjet e panumërta të pasurisë e të fondeve publike, dalja në shesh e disa të vërtetave rrënqethëse të korrupsionit të paparë që e orkestron personalisht, po e fusin përditë e më thellë Saliu në rrugën e gabuar të konfliktit me popullin.

I ashtuquajturi kryeministër po ribën llogarinë e gabuar që bëri kur u kap në flagrancë me Suden, duke mos zgjedhur rrugën zgjidhjes politike, por rrugën e provokimit të popullit që këtë herë e ka kapur në flagrancë me Ilir Metën.

Saliu po vazhdon të provokojë, madje përditë e më rëndë, më trashë, më paturpësisht, popullin e tërë duke mos dashur të pranojë se Ilir Meta është prasi i kapur në dorën e tij dhe duke ju sulur opozitës si i marrë me prasin në dorë. Marrosja e mbrëmshme e Saliut, që fliste përçart për plazhe duke u kërkuar deputetëve të zhvisheshin lakuriq, madje të binin edhe gratë e tyre para tij, ishte në të vërtetë thirrja më e fortë, më e thellë, më jehuese për popullin në demonstratë, jo për të mbështetur PS apo sjell opozitën në pushtet me demonstrata, po për ti hequr pushtetin e popullit nga duart një kusari të dalë duarsh, që i lejon vetes gjëra që, kurrë, një popull s’mund t’ia lejojë atyre që e qeverisin.

Kjo qeveri e marrë fund duhet të largohet dhe ky i ashtuquajtur kryeministër që ka vjedhur votat, që drejton një qeveri kusarësh e matrapazësh me bllokun e pistë të plaçkitjeve në dorë, që del mendsh sa herë del përballë opozitës, duhet ti japë zgjidhje politike një situate që rrezikon të dalë jashtë kontrollit të politikës pavarësisht vullnetit tonë të palëkundur për të mbajtur aksionin tonë politik brenda kufijve të rolit tonë kushtetues.

E them këtë, sepse populli ka një liri kushtetuese e të drejta historike, që nuk i ka asnjë institucion e asnjë forcë politike. Ushtrimi i kësaj lirie e të drejte ndodh kur kushtetuta merret peng, ligjet zhvlerësohen, institucionet bien, ndërsa opozitës politike i ezaurohen mundësitë që përcaktohen prej rolit të saj kushtetues, pra kur sistemi politik del jashtë loje.

Roli ynë është të kërkojmë papushim zgjidhje politike edhe aty ku s’duken gjasa që zgjidhja të gjendet. E kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, për s’mund ta pengojmë më popullin të marrë në dorë fatin e vet kur ai që duhet të ishte kryeministri i vendit është kthyer në një kumbarë kusarish e matrapazllëqesh, që nga vjedhja e votave e dhjetëra e dhjetëra rastet e korrupsionit qeveritar të bëra publike deri tek matrapazllëku i zëvendësit të tij me bllok në dorë edhe për llogari të tij dhe kur në vend se të pranojë me realizëm fundin e një koalicioni të turpëruar publikisht e të kërkoj zgjidhje politike, del siç doli mbrëmë duke kërcyer mbi kokat e deputetëve të opozitës e duke u hakërryer si i marrë busullhumbur.

Gjendja është e rëndë, zgjidhja është e thjeshtë.

Koalicioni i Turpit nuk mund të jetë më qeveria e shqiptarëve.

Saliu duhet ta deklarojë të mbyllur aventurën e këtij koalicioni, që Shqipëria s’mund e s’do ta mbajë dot në kurriz edhe sikur të gjithë ne partitë politike t’i lutemi popullit shqiptar ta bëjë këtë sakrificë.

Në këndvështrimin tonë, mbajtja në këmbë e këtij koalicioni nuk e zgjat shumë qëndrimin e kryeministrit në karrige, po vetëm i rrit vendit dhe shqiptarëve kostot e largimit të qeverisë.

Ndërkohë që ne s’mund të bëjmë më shumë sesa gjithshka kemi në dorë për të nxitur zgjidhjen politike, populli mund të na tejkalojë ne dhe politikën në tërësi nëqoftëse kush qeveris nuk punon për zgjidhjen politike po bëhet zgjedhë në kurrizin e popullit.

Prandaj Saliu duhet të nxitojë të japë zgjidhjen, duke pranuar zgjedhjet e reja e duke kërkuar zgjidhjen e duhur për të rikthyer politikën në parlament dhe normalitetin në procesin politik.

*Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama

KOMENTE