English

Rrëfim befasues i Dick Marty, mohon gjithçka(!)

Përsa i përket pavarësisë, unë nuk e kam kundërshtuar asnjëherë pavarësinë si të tillë, kam kundërshtuar dhe kritikuar nga pikëpamja juridike, duke u mbështetur në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, bazuar mbi vlerësimet juridike të profesorëve të njohur ndërkombëtarisht, që na patën dëshmuar se mënyra se si ishte shpallur pavarësia nuk ishte krejtësisht korrekte

Senatori Dick Marty distancohet dhe denoncon para shqiptarëve instrumentalizimin e raportit të tij. Intervistë dhënë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK)

Përkthimi dhe përgatitja në shqip: Vjosa Gërvalla, Blerim Shabani, Sevdail Tahiri

Kush është Dick Marty?

Dick Marty është me origjinë nga Tessina. Është Këshilltar në Këshillin e Kantoneve (i përbërë nga përfaqësues të Kantoneve të Zvicrës). Më parë ka qënë Këshilltar Shteti. Gjithashtu, ai ka pasur një karrierë të rëndësishme si Prokuror i përgjithshëm dhe parapëlqen veçanërisht dosjet e ndjeshme, siç ka qenë për shembull raporti mbi burgjet sekrete të CIA-s, i bërë publik më 2006. Ai është një personalitet shumë i respektuar në Zvicër, e gjithashtu edhe në shkallë ndërkombëtare. Prej vitit 2010, është kryetar i Këshillit të Universitetit të Neuchatelit si dhe është emëruar kryetar i Asamblesë ndër-jurasiene, një punë që nuk është e lehtë në konteksin e Zvicrës.

Raporti juaj shkaktoi polemika të shumta, dhe në vend që të shuhen, ato vazhdojnë të shtohen, në lidhje me akuzën sipas së cilës përgjegjësit politikë kosovarë janë të përfshirë në trafikimin e organeve. Por para se të hyjmë në thelbin e debatit, në hyrjen e raportit tuaj, ju i referoheni Rezolutës 1244 të OKB-së. Ndërkaq, ajo (rezoluta) nuk përbën më ndonjë referim as edhe për Beogradin. Për më tepër, në verën e vitit 2010, me kërkesë të shtetit serb, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës dha mendimin e saj, duke vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Pyetja jonë është kjo: Pse nuk flitet në raportin tuaj për GJND, dhe as lidhur me nocionin e Shtetit të Kosovës; përveç kësaj, ju flisni për administrim të kosovarëve?

Në radhë të parë, më lejoni t’ju falenderoj që më dhatë mundësinë që t’iu drejtohem qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës dhe të Shqipërisë, shqiptarëve në përgjithësi. Kështu unë jam shumë mirënjohës për rastin që më jepet, sepse mendoj se është e nevojshme që disa pohime dhe përshtypje të korrigjohen.

Ky raport dhe veprimtaria ime, dhe për këtë ju siguroj, nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet kuptuar kurrë si diçka kundër bashkësisë kosovare, ose kundër bashkësisë shqiptare. Në të kundërtën, unë mendoj se jam përpjekur të bëj një punë që më ishte kërkuar. Nuk e kërkova unë këtë mandat, por u ngarkova për ta kryer atë. E bëra me ndërgjegje të plotë. E di se kërkimi i së vërtetës mund të shkaktojë dhembje, mirëpo kurrë nuk kam pasur për qëllim të kritikoj, dhe aq më pak ta kriminalizoj një bashkësi. Kam shumë miq dhe të njohur kosovarë dhe shqiptarë. Shumë prej tyre jetojnë në Zvicër dhe Zoti e di por unë nuk kam pasur asnjëherë ndonjë problem me ndonjërin nga Kosova apo Shqipëria. Kam pasur vetëm marrëdhënie respekti dhe miqësie.

“Politika kriminale dhe e marrë e Milosheviçit, e pastrimit etnik, ishte krejtësisht absurde”

Por pikërisht, Z. Dick Marty, pjesa më e madhe e kritikave vijnë nga qarqet politike, por edhe nga shoqëria civile kosovare dhe qarqe të ndryshme, duke përfshirë edhe ato akademike, të cilët ju kritikojnë se jeni autor i këtij raporti, ndërkohë që më parë qëndrimet tuaja politike ishin kundër, përsa i përket ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pra, sipas jush, a është i justifikuar mendimi politik kosovar dhe shqiptar që ka shprehur dyshime serioze lidhur me paanshmërinë tuaj?

Mendoj se edhe këtu është një keqkuptim. Unë kam shprehur vetëm kritika të natyrës esencialisht juridike. Më pati ardhur shumë keq që ndërhyrja e NATO-s nuk qe kryer në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, domethënë me mbështetjen e Këshillit të Sigurimit.

Është aq e vërtetë sa që Zvicra pati ndaluar fluturimin e aeroplaneve mbi territorin e saj, sepse kjo nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kur e them këtë, unë isha gjithashtu i bindur se duhej ndërhyrë në Kosovë. Se politika kriminale dhe e marrë e Milosheviçit, e pastrimit etnik, ishte krejtësisht absurde. Ja përse unë mendoja, dhe mendoj përsëri, se nëse do të ishin bërë gjërat në mënyrë të qartë nga pikëpamja juridike, do të kishim pasur shumë më pak polemika.

Përsa i përket pavarësisë, unë nuk e kam kundërshtuar asnjëherë pavarësinë si të tillë, kam kundërshtuar dhe kritikuar nga pikëpamja juridike, duke u mbështetur në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, bazuar mbi vlerësimet juridike të profesorëve të njohur ndërkombëtarisht, që na patën dëshmuar se mënyra se si ishte shpallur pavarësia nuk ishte krejtësisht korrekte. Dhe unë mendoj, se nëse kjo pavarësi, të cilën nuk e kundërshtoj si të tillë, po të ishte përgatitur ndoshta më mirë, ne do të kishim shumë më pak probleme dhe ndoshta popullsia kosovare do të kishte mundur të jetonte më mirë. Pra unë vura për diskutim dhe kritikova kushtet e veçanta dhe jo thelbin. Përveç kësaj, një nga kritikat e mia mbi modalitetet e veçanta, fatkeqësisht, u dëshmua.

Unë kisha thënë se kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm, sepse do të ketë nga ata që do t’i referohen këtij precedenti. Kjo ndodhi me Abkazinë dhe Osetinë e Jugut, të cilat, me të drejtë ose pa të drejtë, iu referuan këtij precedenti. Mirëpo po e përsëris, nuk është pavarësia si e tillë, por unë kritikova mënyrën se si u vendos ajo. Do të kisha preferuar më tepër që të jenë kosovarët ata që do të kishin vendosur vetë, dhe jo që ky vendim të ishte marrë nga Washingtoni, Berlini apo Parisi.

Gjithashtu, jam po ashtu paksa kritik për këtë gjendje perfuzioni që ekziston tani me ndërkombëtarët në Kosovë. Mendoj se kosovarët do të ishin në gjendje të bënin shumë më shumë gjëra vetë dhe atje do të kishte më pak efekte negative se sa me këtë prani të madhe ndërkombëtare.

“Unë nuk e kam kundërshtuar asnjëherë pavarësinë si të tillë”

Me të vërtetë ju keni thënë se deklarata e Pavarësisë nuk ka qenë vendosur në Prishtinë, por në fund të fundit ajo çoi në një seri marrëveshjesh ...

Dëgjoni. Unë nuk e vë më Pavarësinë në diskutim. Ajo nuk përbën më temë për mua. Kosova e pavarur, unë do të uroja që ajo të jetë me të vërtetë e pavarur. Që të mund të ecë me këmbët e veta, dhe për mendimin tim, kjo nuk vihet më aspak në dyshim. Për mua, ishte çështja e modaliteteve të atij moment, të çështjes së nxitimit të Zvicrës në lidhje me njohjen e saj dhe që është në kundërshtim me praktikën që ajo kishte ndjekur deri më tani, kjo ishte e gjitha. Unë jam realist: kosovarët e duan padyshim pavarësinë dhe besoj se tani duhet respektuar kjo pavarësi. Për mua, ky është një kapitull i mbyllur dhe duhet të them se ai nuk ka të bëjë aspak me këtë raport. Unë kam bërë një raport tjetër tejet kritik për Rusinë dhe politikën e saj në Kaukazin e Veriut; megjithatë nuk do të thotë se mbajta një qëndrim në favor apo kundër pavarësisë së Çeçenisë. Kjo nuk është detyra ime. Detyra që m’u caktua është një detyrë që shkon në drejtim të respektit të parimeve të Konventës Evropjane të të Drejtave të Njeriut, kjo është e gjitha.

Meqenëse flisni për Rusinë, a është e vërtetë se autori i mocionit, që ishte pikënisja e këtij raporti, është një deputet rus, me emrin Konstantin Kosachev? Shumë analistë kosovarë e të rajonit i bëjnë pyetje vetes lidhur me synimin e kësaj nisme, duke e ditur se Rusia nuk është model përsa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe se ajo është e njohur si aleati tradicional i Beogradit. Pra, a nuk dyshonit se mos kjo nismë ishte objekt i qëllimeve politike?

Z. Kosachev ishte një nga nënshkruesit e këtij mocioni. Mirëpo, që mocioni të jetë i vlefshëm, ai duhet të nënshkruhet nga 20 deputetë dhe duhet të përfaqësojë, në mos gaboj, pesë vende të ndryshme. Pra, ishin deputetë të partive dhe vendeve të ndryshme që e firmosën ate. Midis të tjerash, ju informoj, se unë nuk e firmosa atë.

Mirëpo, a ishtë ai nismëtari i këtij mocioni ?

Nuk e di nëse ai ishte iniciatori. Mua nuk më është kërkuar kjo dhe nuk isha në dijeni të kësaj nisme. Procedura është kjo. Kur ka një mocion, ai shqyrtohet nga zyra e Asamblesë, e cila vendos për vlefshmërinë e tij. Në këtë rast, ajo vendosi që ai ishte i vlefshëm dhe ia kaloi Komisionit të Çështjeve Juridike të të Drejtave të Njeriut. Ky komision duhet të caktojë një raportues dhe ai vendosi të ma ngarkonte mua këtë raport. Duhet të ju them se nuk isha patjetër i entuziazmuar me këtë, dhe mund të ju siguroj se nuk isha unë që shkova ta kërkoja këtë punë.

“Nuk është UÇK, si e tillë që kriminalizohet apo kritikohet”

Meqenëse po flasim për këtë raport, propozoj që të futemi në thelbin e çështjes. Më parë, ka pasur dy raporte të GJPN dhe të EULEX-it mbi ish-Jugosllavinë. Dy anketa që u realizuan në bazë të thënieve mbi trafikun e organeve. Çfarë sjell më tepër raporti juaj, në lidhje me atë që është bërë deri tani?

Të flasësh për hetimin e GJPN dhe të EULEX-it, në lidhje me këto raste, është e tepërt të pretendohet se bëhet fjalë për hetim. Në vitin 2002 apo 2003, GJPN kishte një mision në «Burrel» dhe në këtë kuadër, ajo mblodhi një numër provash teknike, si gjurmë gjaku, ilaçe, etj., dhe nuk ka pasur asnjë vazhdim pas kësaj vizite atje. Bile, këto prova, që sot do të mund të shfrytëzoheshin në suazat e një hetimi të vërtetë, janë asgjësuar, gjë që është mjaft e çuditshme. Sepse unë nuk njoh asnjë autoritet gjyqësor, asnjë ministri publike, e cila, edhe në rastin kur ajo pranon se nuk është kompetente, asgjëson, për më pak se dy vite, elemente të provave që mundeshin të ishin, në të ardhmen, thelbësore. Pra, thënë shkurt, nuk ka pasur kurrë ndonjë hetim të vërtetë mbi këto ngjarje. Gjithashtu, sepse Shqipëria, dhe këtë ma kanë thënë ministri i drejtësisë dhe ai i punëve të brendshme i Shqipërisë, ishte e mendimit se nuk kishte asnjë arsye për të hapur një hetim mbi ngjarjet eventuale që kanë mundur të ndodhin në territorin e saj, sepse ajo vlerësonte se nuk ishte pjesë e konfliktit të ish-Jugosllavisë dhe nga ky fakt, ajo nuk shihte se në emër të cilit motiv duhej të hapte një hetim.

Sot ne jemi në dijeni dhe EULEX-i është duke e dëshmuar, ekziston një akt akuzimi, se një kamp sekret i të burgosurve mbahej në territorin e Shqipërisë së veriut nga ana e forcave të UÇK-së. Gjithashtu, edhe këtu, më lejoni të ju them se nëse lexohet me kujdes raporti im, nuk është UÇK, si e tillë që kriminalizohet apo kritikohet. Bile dua të theksoj se ka anëtarë të UÇK-së që u angazhuan në mënyrë të lakmueshme për atdheun e tyre. Nuk besoj se mund të konsiderohet UÇK-ja si një ushtri e strukturuar, në kuptimin klasik, me një gjeneral etj. Mirëpo, për mendimin tim, ka pasur abuzime dhe krime që janë kryer nga disa grupe, të cilat, sipas mendimit tim, duhet të jenë objekt i një hetimi. Ajo që kam sjellë unë në këtë raport nuk është në fund të fundit diçka shumë e re. Qoftë UÇK-ja, disa forca të UÇK-së, apo z. Thaçi, të gjithë tashmë kanë qenë të cituar në shumë raporte të shërbimeve informative, në studime që janë realizuar, ose edhe në artikuj të hartuar, apo nga një hulumtim i detajuar i BBC-së. Pra ajo që ne arritëm të bëjmë në kërkimet tona, ishte se na u dha mundësia të gjejmë dëshmitarë shumë të besueshëm që kanë mundur të japin hollësira që figurojnë në raport.

Por ne nuk jemi një autoritet hetimi dhe akoma më pak gjykimi. Ne jemi një autoritet denoncimi. Ne denoncojmë dhe kërkojmë që të kryhen hetime për ngjarje që tregojnë indicje për shkelje të rënda të të Drejtave të Njeriut. Dhe ne e kemi bërë këtë në shumë raste. Pak më parë ju folët për raportin mbi burgjet sekrete të CIA-së; ju them se edhe në atë rast kam cituar emra, si atë të ish presidentit të Rumanisë, të Këshilltarit të sigurisë të Polonisë, që ishin në dijeni se çfarë ndodhte. Dhe në qershor 2007, paraqita këtë raport për të cilin po ashtu më kërkuan dëshmi dhe kësaj iu përgjigja se u përkiste atyre që t`i kërkonin dëshmitë. Detyra ime është të denoncoj, dhe mund të ju them se tre vite më vonë, nuk ka pasur asnjë fjalë të raportit tim që është përgënjështruar. Dhe sot, mendoj se ky raport konsiderohet si diçka që është dëshmuar në të gjitha elementet e tij.

Pikërisht, juve ju qortojnë për faktin se sillni shumë akuza të rënda dhe të ashpra, kurse dëshmitë për t`i mbështetur ato ju mungojnë. Ndjenja e përgjithshme është se raporti juaj i ngjan një gjykimi, para hetimit juridik.

Jo! Duke cituar shumë burime dhe dokumente, unë them se ka aq indicje, pa i harruar dëshimtarët që kam dëgjuar që rrëfejnë ngjarjet, dhe nuk mund të shtiresh se nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, duhet bërë një hetim. Ndërkaq, unë konstatoj se autoritetet gjyqësore të rajonit, fatkeqësisht nuk janë në gjendje t`i mbrojnë dëshmitarët. Dhe për këtë arsye, dëshmitarët nuk flasin. Ju e dini shumë mirë se ka dëshmitarë që janë kanosur apo vrarë.

Ju e dini shumë mirë që ka dëshmitarë që kanë bërë deklarata akuzuese në procesin e hetimeve, dhe që nuk kanë folur pastaj gjatë gjykimit. Ju e dini shumë mirë se nuk ka akoma, ashtu siç ka kërkuar Bashkësia ndërkombëtare, një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve. Do të thotë, nuk është një popullatë që është kriminalizuar. Për mua, shumica e kosovarëve kanë qenë viktima dhe kanë qenë të detyruar të paguajnë një haraç të rëndë. Do të dëshiroja, që për këta burra dhe gra, e ardhmja e tyre të mos ndërtohet mbi dyshime dhe gënjeshtra, por mbi të vërtetën. Është e vërtetë se kërkimi i së vërtetës shkakton dhembje, por nuk duhet reaguar sikurse serbët. Serbët reaguan kur pati akuza kundër Milosheviçit dhe krimeve të tmershme të kryera kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve. Ata protestuan duke thënë se duan dëshmi. Nuk duhet reaguar në mënyrë të tillë.

Më duket se reagimi i drejtë është të thuash: ju bëni akuza shumë serioze, tani duam që autoritetet kompetente të bëjnë gjithçka që është e mundur që të zbardhet e vërteta. Sepse e vërteta është në interes tonin. Ka shumë shembuj, bile edhe në Zvicër, me të mirat dhe pasuritë e lëna nga hebrenjët në bankat tona. Për vite të tëra ne u bëmë sikurse nuk e shihnim këtë problem ndërsa historia ne na kapi shumë kohë pas luftës. Dhe kjo i shkaktoi shumë dëm vendit tonë.

Në Austri ishte një president që ishte përzier me nazizmin dhe për shumë kohë bënim sikurse nuk e dinim. Edhe në atë rast, na kapi historia. Në Kosovë kam qenë vetëm një herë, por jam habitur nga ngrohtësia dhe pritja e popullatës, një pritje që e gjeta edhe në Shqipëri. Pra unë u uroj atyre një të ardhme të mbarë, por kjo e ardhme është e mundëshme vetëm nëse përballemi me të kaluarën duke kërkuar të vërtetën. Kjo vlen edhe për vendin tim dhe për çdo shoqëri tjetër.

“Mirëpo, nëse e lexoni me kujdes raportin tim, unë nuk them në asnjë rast se Z. Thaçi është i implikuar drejtpërdrejt në një trafik organesh.”

Por raporti juaj, megjithatë, u fillua pas botimit të librit të ish-prokurores së GJPN, zonjës Karla del Ponte. Lidhur me këtë, zëdhënësja e saj, zonja Florence Hartmann, i cilëson fjalët e saj të papërgjegjshme, sepse ajo paraqet si fakte të sigurta hipoteza të thjeshta. Duke e ditur se raporti juaj bazohet mbi këtë libër, shqiptarët e Kosovës kanë përshtypjen se ju u kërkoni atyre ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, sepse ju nuk keni mundur ta dëshmoni fajësinë e tyre.

Zotëri, unë jam në fund të karrierës sime politike dhe jam pak a shumë i moshuar, për të mos thënë njëfarë moshe. Kam shërbyer në tri fusha të shtetit: drejtësi, ekzekutiv dhe tani në ligjvënie. Ju nuk do të mendoni vallë se unë do të rrezikoj të hedh poshtë karrierën time duke shkruar një roman në vend të një raporti. Unë besoj në një ndërgjegje dhe aftësi profesionale. Për më tepër se 15 vite kam qenë prokuror dhe jam marrë sidomos me kriminalitetin e organizuar ndërkombëtar.

Ndërkaq, kam marrë dy çmime nderi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dhe kjo nuk është për t’u mburrur, por për të dëshmuar njëfarë aftësie që e zotëroj. Unë e di se si duhet pyetur një dëshmitar, se nuk duhet të bazohesh në një deklaratë të vetme dhe se duhen bërë prova të kryqëzuara.

“Unë nuk them në asnjë rast se z. Thaçi është i implikuar drejtpërdrejt në një trafik organesh”. Mirëpo, nëse e lexoni me kujdes raportin tim, unë nuk them në asnjë rast se Z. Thaçi është i implikuar drejtpërdrejt në një trafik organesh, por them se njerëz shumë të afërt të z. Thaçit janë të implikuar.

Pra, është e vështirë të mendosh se ai nuk ka dëgjuar kurrë për to. Për ndryshim nga zonja Karla del Ponte, unë saktësoj shumë aspekte. Nuk them se bëhet fjalë për qindra transplantime të paligjshme. Flas vetëm për një grusht rastesh.

Po, por e përmendni tërthorazi.

Por është e shkruar. Unë nuk kam shkruar të kundërtën. Besoj se mjafton që të vërtetat duhet deklaruar njëherë. Kur fillon të deklarosh shumë shpesh një të vërtetë, kjo fillon të bëhet e dyshimtë.

E gjithë kjo për të thënë se unë do të uroja që dikush që është profesionist të përkthejë këtë raport. Sepse ky raport nuk është lexuar nga 99,9 % e njerëzve që janë sot të indinjuar. Janë lexuar vetëm disa pjesë nga shtypi.

Të një shtypi që anon dhe që ka nxjerrë vetëm disa pjesë të këtij raporti. Ndërkaq, ky raport shfrytëzohet sot nga qarqet e dy palëve nacionaliste. Nga serbët, gjë që më zemëron shumë si dhe nga nacionalistët e Kosovës. Fakti që është shfrytëzuar nga të dy anët, flet pothuajse në favor të raportit.

Raporti është shumë i ashpër ndaj serbëve, nuk ka asnjë komplicitet apo mirëkuptim për krimet e tmershme të kryera nga serbët.

Por krimet e kryera nga serbët nuk mund të justifikojnë disa krime të kryera po ashtu nga disa kosovarë dhe jo nga kosovarët, por nga disa kosovarë. Një krim nuk mund të kompensojë tjetrin.

Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë dhe duhen kryer hetime në të dy anët. Ndërkaq, ajo që tha ambasadori amerikan gjatë vendosjes së administratës së re lokale, në 1999-2000, ishte se e kaluara ishte e kaluar dhe se duhej preokupuar për të ardhmen.

Kjo nuk është një bazë e mirë për një nismë. Edhe nëse mundemi të kemi ndonjë mirëkuptim. Kuptova se në Kosovë ka shumë kohë që pëshpëritej për këto gjëra. Në fakt, nëse jemi përfundimisht të ndershëm, nuk duhet të ishe i çuditur nga ky raport. Mbetet një tabu e madhe fakti se shqiptarë po ashtu janë vrarë nga disa elementë të UÇK. Zotëri, ju e dini se kjo ka ndodhur.

Gjithashtu, mendoj se këto krime duhet po ashtu qartësuar. Kam takuar prindërit e viktimave të zhdukura, si në Beograd ashtu dhe në Prishtinë. Çdo herë jam tronditur, sepse e di se çfarë do të thotë humbja e një fëmije, veçanërisht kur nuk di gjë se çfarë ka ndodhur. Në këto raste, nuk është e mundur të mbahet zija. Pra unë mendoj se raporti meriton një lexim më të sinqertë dhe kjo edhe nëse kam bindjen se nuk është e lehtë dhe se kam dëshirë t’u pohoj se kam njëfarë mirëkuptimi përballë këtyre reagimeve. Jam i sigurt se koha do të jetë në favor të një kuptimi më të mirë të këtij raporti.

"Jam i sigurt se koha do të jetë në favor të një kuptimi më të mirë të këtij raporti "

Por, pak më herët përmendët përfshirjen e supozuar të z. H. Thaçi në trafikun e supozuar të organeve. Por deputetët e Zvicrës që mbështesin raportin tuaj, presidenti i të Gjelbërve, si dhe deputetë të tjerë po aq të respektuar, janë treguar mjaft skeptikë në lidhje…

Unë ju përsëris nëse lexoni me vëmendje, ju kuptoni se nuk përfshij drejtpërdrejtë z. Thaçi me trafikun e organeve. Aty përmenden emra të caktuar, dhe jo emri i z. Thaçit. Mirëpo, ajo që themi është se këta persona në fjalë janë në rrethin e z. Thaçit. E dini se Z. Thaçi kishte përgjegjësi të mëdha në kuadër të UÇK-së dhe brenda këtij grupi. Nuk e imagjinoj dot z. Thaçi duke marrë pjesë personalisht në nxjerrjen e organeve.

Përsëri, edhe pse duket se te gjithë janë përqendruar në faktin e heqjes së organeve, e vërteta është se ka me qindra persona që nuk i përgjigjen thirrjes, dhe se kemi humbur gjurmët e tyre, ndërsa indicje të shumta tregojnë, dhe këtë e konfirmon EULEX-i, se ata kanë shkuar në drejtim të Shqipërisë. Në mes të të zhdukurve nuk ka vetëm serbë, po edhe kosovarë.

A vlen rregulli i prezumimit të pafajësisë edhe për z. Thaçi, sepse nëse e lexojmë shtypin e këtushëm…

Por nuk bëhet fjalë për një dënim, po për një denoncim eventual. Ky nuk është një dënim. Më në fund duhet që dikush të bëjë hetim, gjë që nuk është bërë deri tani. Edhe pse ka pasur botime të shkrimeve që flisnin për krim të organizuar në lidhje me disa qarqe të UÇK-së.

Kështu që prej vitit 1999, ka pasur artikuj në New York Times, një tjetër në Guardian i cili bazohej në një raport të FBI-së, ka pasur një raport të shërbimeve informative të Gjermanisë, të Greqisë, të Italisë, dhe të Qendrës Evropiane të studimeve të Berlinit, etj. Më në fund, befasohem që skandali që po ndodh sot nuk ka ndodhur më herët.

Në Zvicër, z. Alain de Weck, një person shumë i njohur në fushën e transplantimit të organeve, ka shprehur dyshime të thella për përmasën e akuzave dhe sugjeron që të rishikohen me një prizëm tjetër akuzat për masakra në shkallë të madhe.

Po, duhet. Flas për një grusht personash. Duhet të lexohet raporti im. Kush ka përmendur, si në Kosovë po ashtu në Shqipëri, se unë flas për një grusht rastesh. Askush. Bile, jo vetëm në Kosovë.

Ka pasur media të tjera që kanë raportuar se në kundërshtim me zonjën Del Ponte, z. Marty flet vetëm për një grusht rastesh. Dhe ju e dini, se trafiku i organeve, në modalitete tjera, ka vazhduar nën hundën e ndërkombëtarëve, madje edhe në Prishtinë. Dhe se kryesisht të njëjtat rrjete janë në veprim.

Sepse, prej momentit kur organi del nga vendi, ai kalon në dorën e rrjeteve ndërkombëtare. Trafiku i organeve përbën një ndër plagët e mëdha të kësaj bote, kundër të cilit mendoj se nuk është bërë mjaft.

Sot, terrorizmi shikohet si armiku numër një, ndërsa kemi të bëjmë me fenomene që bëjnë më shumë viktima. E kam fjalën për trafikun e armëve, drogës, qenieve njerëzore, trafikimin e fëmijëve si dhe trafikimin e organeve. Trafiqe kundër të cilëve nuk japim më shume se një të dhjetën e energjisë që shkon kundër terrorizmit që shkakton shumë më pak viktima.

Nuk dua të them se ne nuk duhet të luftojmë kundër terrorizmit, por se ne nuk i kushtojmë vëmendje të mjaftueshme këtyre fenomeneve të ndryshme nga të cilët të gjithë rrezikojmë të bëhemi viktima, dhe këtë pavarësisht nga kombësia dhe përkatësia etnike.

A mund të themi se raporti juaj është bërë pre e nxitimit politiko-mediatik i cili vuri në pah dyshimin e këtij tregu aq të ndyrë të organizuar në shkallë të madhe. A mund të themi se titulli i raportit tuaj nuk i ka shërbyer hetimit tuaj, duke dhënë përshtypjen se trafiku i organeve ishte thelbi i mendimit tuaj, ndërsa ai mbulon një problematikë që shkon përtej trafikut të organeve.

Unë nuk jam përgjegjës për titullin, ky më është caktuar. E tëra është nisur nga deklaratat e zonjës Del Ponte. Unë kam qenë shumë i habitur nga deklaratat e saj. Doja ta dija se përse dikush i cili kishte një përgjegjësi juridike në rajon bën deklarata të tilla, dhe nuk i bën në momentin kur ajo ishte e ngarkuar me këtë dosje, por kur ajo u largua nga funksioni, dhe përveç kësaj, i bën përmes një libri.

Kam qenë shumë skeptik për deklaratat e saj. Pastaj u konstatua se Gjykata e Hagës nuk ishte kompetente për shkak se faktet kishin ndodhur pas 12 qershorit 1999, dhe se kishin ndodhur në Shqipëri.

Bile, mund shtrohet pyetja nëse EULEX-i është kompetent. Është e vërtetë se raporti im ndez emocione.

Unë jam një mbrojtës profesionist i të drejtave të njeriut.

Kur më ngarkojnë me detyrën e shkrimit të një raporti, unë mbledh të dhëna shumë serioze, zbuloj një seri të tërë të dokumenteve, dhe i përmend në raportin tim. Kjo ishte detyra ime. E di se me këtë raport i kam hapur vetës vetëm telashe. Duhet pasur parasysh se me një raport të tillë nuk marr asnjë rrogë. Si çdo raportues, ne marrin nga Parlamenti Zviceran një shumë prej 200 frangash zvicerane, dhe këtë pavarësisht nga objekti i studimit, qoftë nga parlamentit i Zvicrës apo i Strasburgut. Pikë.

Ky raport më hap vetëm probleme dhe nuk më sjell asnjë përfitim, ju betohem.

Kjo ishte detyra ime. Nga momenti që kam marrë këtë mandat, unë kam pasur për detyrë të tregoj atë që kam zbuluar. Bëhet fjalë për një denoncim, dhe pas kësaj, u mbetet autoriteteve kompetente që ta kryejnë detyrën e tyre.

Ishte e njëjta gjë për çështjen e burgjeve sekrete, për abuzimet që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë në Kaukazin Verior, për Qipron, për Kongon në rajonin e liqeneve të mëdhenj. Unë nuk kam asnjë arsye personale kundër Kosovës, Shqipërisë apo shqiptarëve. Përkundrazi, unë jam ndër ata që adhuroj shumë librat e Kadaresë.

Kronologjia dhe botimi i raportit

Keni të drejtë, ai është një personalitet i njohur botërisht.

A nuk keni frikë se do të ketë një përdorim politik, sidomos sa i përket kronologjisë të raportit. Edhe Jacques Rupnik, një personalitet shumë i respektuar në botën akademike evropiane dhe ndërkombëtare, ku ai shprehet se ky raport është një mënyrë për të penguar proçesin e paqes në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Dhe është fakt se ky raport ka dalë pak pas zgjedhjes së z. H. Thaçi.

Mendoj se do të kishim bërë të njëjtat vështrime, pavarësisht momentit të publikimit. Jam i mendimit se gazetarët si dhe eksperti që ju po e përmendni duhet të informohen më seriozisht.

Kemi të bëjmë me një proces shumë rigoroz për prezantimin e raportit. Ne duhet të dorëzojmë raportet brenda dy vjetësh, dhe mund të shtyjmë afatin vetëm një herë. Në lidhje me rastin tim, afati i fundit ishte seanca në janar të vitit 2011. Kështu që afati i fundit për paraqitjen në Komision ishte më 16 dhjetor 2010.

Në momentin e caktimit të rendit të ditës për seancën e janarit, në të cilin përfshihej edhe raporti im, askush nuk kishte vendosur ende datën e zgjedhjeve në Kosovë. Sepse siç e dini, nuk ishin zgjedhje të rregullta. Kishim të bënim me zgjedhje të jashtëzakonshme, data e të cilave u caktua vetëm në muajin nëntor. Për më tepër, data e parë e caktuar ishte për muajin shkurt. Pra, kjo nuk ka të bëjë aspak me procesin zgjedhor.

Don të thotë se kjo mund të verifikohet ?

Datat janë caktuar në përputhje me rregullat dhe unë nuk kam pasur asnjë ndikim në (kë) to. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ka pasur aq shumë spekulime për shkak të mos informimit. Dokumentet janë të qarta: rendi i ditës është caktuar para caktimit të datës për zgjedhje në Kosovë.

Për më tepër, sipas rregullave të Këshillit Evropian, nuk kemi pasur për detyrë tua dërgojmë raportin të gjithë anëtarëve (82 veta) të Komisionit një javë para seancës.

Pra, ne është dashur të dërgojmë raportin të enjten para zgjedhjeve, më 9 dhjetor. Dërgimi për 82 persona bënte të pamundur mbajtjen e sekretit. Prandaj, bashkë me Presidentin e Komisionit, vendosëm se ishte e pamundur të dërgojmë raportin 48 orë para zgjedhjeve. Pra, në shkelje të rregulloreve, ne e kemi dërguar vetëm gjatë natës të së dielës, në mënyrë që të mos akuzohemi për ndikim mbi zgjedhjet.

Ju ngritët çështjen e burimeve. Mbi këtë temë ka shumë polemika dhe pyetje në mesin e komunitetit shqiptar si dhe në përgjithësi. Ju mbështeteni kryesisht në dëshmi dhe mbi raporte të kryera nga shërbimet për zbulime.

Burimet në të cilat mbështetni akuzat tuaja janë shumë të kritikuara. Gjithashtu jeni i kritikuar për shkak se nuk keni takuar personalisht dëshmitarët, siç e tregoni në raportin tuaj. Ju shpjegoni se kjo ka të bëjë me kushtet në të cilat keni punuar si dhe me çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Nuk bëhet fjalë për të gjithë, disa kanë biseduar personalisht me mua.

Po, por pjesa dërmuese nuk ishte e tillë.

Jo! Dëshmitarët e rëndësishëm kanë folur me ne. Dhe kjo nuk ishte e lehtë, sepse ata duhej që të kishin një garanci absolute fshehtësie. Këta dëshmitarë kanë frikë. Ata kanë qenë të kërcënuar dhe të vrarë. Deri sa problemi i dëshmitarëve mbetet i pa zgjidhur, nuk do të arrijmë kurrë të bëjmë drejtësi kundër të plotfuqishmit.

Tragjedia qëndron në faktin se drejtësia tregohet shumë e fortë me peshqit e vegjël, dhe shumë e ligë me ata të mëdhenj, dhe kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë, por edhe në shumë vende tjera.

Por përsëri, ju mbështeteni kryesisht në raportet e shërbimeve për zbulim, të kryera nga vendet që nuk janë domosdoshmërisht në favor të pavarësisë së Kosovës. A mund të na thoni pak më shumë, sepse ka shumë spekulime dhe thashetheme në lidhje me burimet e këtyre raporteve.

Shërbimet zyrtare nuk më kanë dhënë këto raporte. Mos u bëni merak.

Këto raporte kanë ngjallur iritim të përgjithshëm pranë kancelarive, pasi këto të fundit nuk shkonin në drejtimin e tyre.

Kështu që Bundesnachrichtendienst (Shërbimi Federal i Informimit) gjerman - Ju e dini se raporti është «publikuar» nga Spiegel në 2005. Administrata gjermane është zemëruar kur ky raport u publikua për shkak se përmbajtja e tij nuk i shërbente interesave të politikës gjermane, e cila në atë kohë, si dhe më duket edhe tani, mbështeste administratën e Kosovës. Por nuk duhet të mendojmë gjithmonë me një pikëpamje politike.

A nuk mund të pranojmë që dikush mund të punojë vetëm për hir të të vërtetës dhe të drejtësisë e cila duhet të jetë e barabartë për të gjithë ?

Ky është një fakt që më godet. Ka pasur zhurma të tipit: ka lidhje me momentin e botimit të raportit, të kem marrë shuma të parave nga serbët…Ndoshta kam bërë gabime, sepse askush nuk është i përsosur, por i siguroj të gjithë kosovarët dhe shqiptarët, që jam përpjekur të bëj punën time me shumë ndershmëri dhe me dëshirë të kërkoj të vërtetën dhe drejtësinë.

Nga përvoja e di se kërkimi i të vërtetës mund të lëndojë. Por, në fund të fundit, kjo është një e keqe e domosdoshme.

Por duhet po ashtu zgjedhur metoda për ta bërë.

Cilën metodë tjetër?

Për shembull, sipas shtypit serb, ju keni përdorur raportet e drejtësisë serbe. A është e vërtetë ?

Jo! Nëse e lexoni raportin ju e shihni se unë jam shumë kritik ndaj gjykatës serbe, të cilat mendoj se do të bënin më mirë po të merreshin më pak me marrëdhënie me publikun dhe të punonin më seriozisht.

Dëshmitë e cituara në raportet e drejtësisë serbe kanë qenë të nxjerra nën torturat e bëra në kazamatet serbe...

Unë ju jap fjalën time të nderit që asnjë material serb nuk ka mundur të përdoret dhe që nuk kemi përdorur.

Pra, kur një e përditshme serioze kosovare, Koha Ditore, bën një krahasim në mes të një raporti të shërbimeve për zbulim të Serbisë dhe raportit tuaj!

Jo! E kam lexuar, më vjen keq, nuk është aspak serioze.

Përveç kësaj, një punëtor i lartë i administratës amerikane ka thënë se ishte e papranueshme që Zoti Marty të vizitojë Rusinë menjëherë pas dorëzimit të raportit. Duke menduar se udhëtimi për në Rusi ishte në lidhje me raportin.

Ai nuk e dinte se unë isha në Moskë dhe në Tbilisi, si kryetar i Komisionit për monitorim. Isha i ngarkuar nga Kuvendi si ndërmjetësues midis delegacionit rus dhe atij të Gjeorgjisë, në kuadër të konfliktit ruso-gjeorgjian. Kur kam qenë në Moskë, nuk kemi biseduar as një sekondë për Kosovën. Pra dua të ju them se si thurren fantazitë nga një fakt i interpretuar gabimisht dhe në fund rezulton në një «elefant të madh» i cili mbështetet mbi një bazë inekzistente. Jam i kënaqur që më dhatë mundësinë që të shpjegohem për këtë çështje.

Pikërisht, ky ishte qëllimi, sepse edhe reagimet e klasës politike kosovare dhe shqiptare kanë qenë jashtëzakonisht kritike ndaj këtij raporti dhe kanë shqiptuar fjalë të rënda ndaj juve. Ky raport është cilësuar si një sulm politik për të baltosur imazhin e shqiptarëve në përgjithësi. Ndërsa në të njëjtën kohë ata janë shprehur të gatshëm për të bashkëpunuar. Presidenti ad interim i Kosovës, z. Krasniqi, ka thënë publikisht se e vërteta duhet të dalë në dritë, dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe madje edhe para negociatave me Beogradin.

Mendoj se reagimet kanë qenë të tepruara dhe se kanë pasur po ashtu edhe motivime politike. Ju e njihni rregullën politike e cila vlen për të gjitha shtetet. Ajo që thotë se armiku i jashtëm ndihmon gjithmonë për të mobilizuar trupat e brendshme, dhe mundëson harresën e problemeve të shumta të brendshme.

Kështu unë u bëra ai dashi i kurbanit, kurse mendoj se problemet nuk janë të miat por ato gjendën atje brenda, dhe atje duhet të zgjidhen.

Sepse këto akuza ekzistojnë prej një kohe të gjatë, dhe po të kishin dashur të gjejnë të vërtetën do duhej të jetë bërë më parë, dhe jo të prisnin raportin tim. Ka pasur shumë manifestime gjatë të cilave flitej për krim të organizuar, për përfshirje të njerëzve të pushtetit në këto organizata. Përse më herët, askush nuk ka kërkuar t'i nxjerrë në dritë të gjitha këto më herët.

E përsëris, se nuk kam kërkuar një punë të tillë sepse nuk kam pasur asnjë arsye për ta refuzuar. Kurrë nuk kam hequr dorë nga detyrimet e mia, ju siguroj se kohët e fundit kisha pasur dëshirë të bëj diçka më të dobishme.

Por janë reagimet e klasës politike shqiptare, qoftë në Kosovës apo diku tjetër, por edhe ato të popullit të Kosovës i cili ka një ndjenjë totale moskuptimi.

Kam lexuar shtypin, kam shokë kosovarë që më kanë informuar dhe që më kanë përkthyer artikuj. Ju nuk do të më thoni se pjesa dërmuese e shtypit shqiptar ka dhënë raportime objektive?

Më vjen keq por mbulesa ishte e njëanëshme, jo e plotë, dhe nuk ka cituar gjera që i kemi thënë. Ky raport u prezantua si pro-serb, duke harruar të përmendin të gjitha gjërat që unë kam thënë kundër serbëve, kundër përgjegjësve serbë të asaj kohe. Mendoj se shqiptarët do të kishin bërë mirë po ta kishin lexuar raportin në qetësi dhe sinqerisht.

Kam pasur disa eksperienca interesante me disa shqiptarë që jetonin në Austri dhe Gjermani. Ata më patën shkruar të skandalizuar dhe të zemëruar, të cilëve u dërgova një përgjigje me shpjegime përmes e-mailit.

E pra, këta persona më janë përgjigjur, gjë që më ka prekur shumë, për shkak se këta njerëz më falënderonin dhe më kërkonin falje për përdorimin e shprehjeve që kishin përdorur në mesazhet e tyre të mëparshme, dhe për të më thënë se ata tani kanë kuptuar më mirë punën time. Gjithashtu, shpresoj se pas kësaj interviste do të arrijmë në të njëjtin përfundim.

Unë kuptoj se nuk është diçka e lehtë, se kemi të bëjmë me një refleks patriotik, dhe në rastin më të mirë me pak nacionalizëm, një gjë e tillë do të ndodhte në secilin vend. Kur na akuzuan në Zvicër për fondet e pasurisë të çifutëve, ne gjithashtu patëm reagime krejtësisht të tepruara dhe të pasakta. Pastaj, me kalimin e kohës kuptuam se ishte më mirë të reagojmë ndryshe.

Po, qëllimi i kësaj bisede është të arrijmë të diskutojmë me siqeritet pas kalimit të fazës së emocioneve. Sa më përket mua, sapo jam kthyer nga vendet e Ballkanit, ku takova shumë njerëz, sepse përfitoj nga çdo rast për të matur pulsin e njerëzve. Mund t’ju them se jeni bërë i «famshëm » për shkak se emri juaj është në buzët e çdo kosovari apo shqiptari. Ata kanë një ndjenjë të thellë se ky raport ka për qëllim pikërisht relativizmin e krimeve masive të kryera kundër civilëve shqiptarë të Kosovës.

Ata janë përpjekur për ta bërë këtë të besueshme. Këta njerëz nuk kanë lexuar raportin.

Keni të drejtë, të gjithë nuk kanë mundësinë ta lexojnë por…

Ju e dini shumë mirë se sa e lehtë është për të nxitur opinionin publik. Për këtë, nuk ka nevojë të shkojmë në Kosovë, mjafton të shikojmë televizionin e Berluskonit për të parë se si nxitet një shoqëri.

Por çfarë do tu thoni shqiptarëve sepse ndjenja e përgjithshme është se ky raport synon relativizmin e shkallës së masakrave të kryera kundër shqiptarëve, kundër popullatës civile, nga shteti, nga aparati shtetëror serb?

Kjo është absolutisht absurde. Kjo është absolutisht absurde. Un kam thënë, për një kontekst krejtësisht tjetër, me shembullin e Drezdenit. Konsideroj bombardimin e Drezdenit si një krim lufte, i cili ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Drezdeni u bombardua kur Gjermania kishte rënë në gjunjë. Objektivat e synuar nuk ishin ushtarake por civile. Është e qartë se në krahasim me krimet e kryera nga nazistët, mund të argumentojmë se rasti i Drezdenit është i parëndësishëm.

Jo! Mendoj se në të dy rastet bëhet fjalë për krim. Pa dyshim se njëra prej të dyjave ka të bëjë me një shkallë krejtësisht tjetër. Por ky fakt nuk duhet të jetë një arsye për të mos dënuar tjetrin.

Po, por gjithashtu nuk duhen relativizuar...

Po jo, në asnjë mënyrë! O Zot jo! U përpoqa ta them. Një krim nuk mund të kompensojë tjetrin. Natyrisht se ka krime më të rënda dhe krime më pak të rënda. Ka krime që kanë një dimension, sikur dimensionet e krimeve naziste, të cilët ishin krime sistematike dhe të strukturuara.

Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë gjatë 1998-99.

Po, por mendoj se kam folur për një politikë të tmerrshme dhe për një çmenduri kriminale në lidhje me Millosheviçin. Kam përdorur mbiemrat më të ashpër që mund të përdorën në gjuhën frënge. Janë mbiemra që nuk mund t'i gjeni në asnjë vend tjetër të raportit. Përsëri, edhe këtu, këto pjesë të raportit nuk janë përmendur.

Por këto reagime kanë prekur edhe komunitetin kosovar apo zvicerano-kosovar që është i madh në Zvicër.

Mendoj se shumë nga këta kosovarë më njohin. Ata e dinë se, për shembull, unë jam angazhuar shumë kundër iniciativës fatkeqe për ndalimin e minareve në Zvicër. Ata e dinë se unë jam angazhuar personalisht dhe në mënyrë të fuqishme kundër politikës anti-terroriste e cila godiste vetëm myslimanët. Kjo është fakt sepse politika amerikane dërgon në Guantanamo vetëm myslimanët. E dinë se jam shumë i shqetësuar për këto lëvizje anti-islamike. Kosovarët që jetojnë në Zvicër dhe që përcjellin pak aktualitetin janë të vetëdijshëm.

Pra ata e dinë se unë nuk kam asnjë paragjykim kundër kulturës myslimane. Përkundrazi, jam angazhuar, kam marrë pjesë në debate, kam shkruar artikuj, kam dhënë kontributin tim për një libër i cili dënonte lëvizjet anti-myslimane, të cilat sipas mendimit tim, janë shumë të rrezikshme.

Por në rastin e minareve, nuk ka pasur reagime nga kosovarët, ndërsa pas daljes së raportit tuaj, janë ngritur zërat e zëdhënësve kryesorë të komunitetit të cilët janë mjaft të respektuar si dhe të angazhuar në jetën politike zvicerane...

Ju e dini zotëri se emocioni është këshilltari më i keq. E kuptoj këtë emocion. Jam i bindur se pasi që emocioni të ketë rënë, arsyeja do të mbizotërojë. Atëherë, çështja e raportit tim do të kuptohet më mirë. Projekt-rezoluta që kam prezantuar është pranuar unanimisht nga Komisioni për çështje ligjore dhe të drejtat e njeriut.

Ka pasur disa abstenime. Disa persona kanë thënë se nuk kanë pasur mundësi të njiheshin me raportin. Mirëpo, nuk ka pasur asnjë votë kundër, kurse bëhet fjalë për specialistë të të Drejtave të Njeriut. Kjo do të thotë diçka, prej momentit kur një raport i tillë nuk merr asnjë votë kundërshtimi nga një komision i kalitur me analiza të këtyre problemeve dhe që konfrontohet prej vitesh me këso lloj problemesh. Kjo po ashtu nuk është përmendur në shtyp.

Se çfarë do të thotë Asambleja e Këshillit të Evropës, nuk e di, sepse natyrisht, janë organizuar lëvizje, mirëpo, mendoj se komisioni ka mundur ta gjykojë në mënyrë objektive dhe të sinqertë këtë raport.

Mirëpo, mbështetja që thoni se e keni gëzuar në diasporën shqiptare në Zvicër bie në kundërshtim me atë që ne kemi mundur të kuptojmë…

Nuk flas për mbështetje, mirëpo ata mua më njohin, dhe do të duhej të dinë se së paku mundohem të jem intelektualisht i ndershëm dhe që angazhohem gjithmonë kundër çdo lloj padrejtësie.

A ka raporti juaj pasoja në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga pjesa tjetër e Bashkësisë ndërkombëtare ?

Nuk e di. Nuk mendoj sepse ky proces do të ishte kryer deri më tani. Jam i mendimit se nëse ka pasur pengesa më herët, ky raport nuk ka ndikim në pengesat në fjalë sepse ato ekzistonin më herët. Ka vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe raporti nuk do të ndryshojë ndonjë gjë. Mirëpo, ajo për të cilën jam i bindur, se po ta kishim përgatitur më mirë pavarësinë, jam i sigurt se Kosova do të ishte sot anëtare e Këshillit të Evropës si dhe e institucioneve ndërkombëtare. Kjo është kritika ime kryesore dhe mbi këtë pikë jam i keqkuptuar.

Po, mirëpo pozicioni i Beogradit në këtë plan ishte i palëvizshëm…

Po, mirëpo, edhe pozicioni i Beogradit ka ndryshuar. Nëse Bashkimi Evropian do t`i luante më mirë kartat e tij dhe nëse nuk do ta kishim dëgjuar vetëm Washingtonin, mendoj se do të kishim arritur te pavarësia, e cila do të ishte sot me pak e kontestuar. Unë nuk kam asgjë kundër pavarësisë. Nuk i kam kërkuar asnjëherë Zvicrës t`i ndërpresë marrëdhëniet me Kosovën. Përkundrazi. E di se Ambasadori i Kosovës në Zvicër është prononcuar kundër raportit, e kryen punën e tij, mirëpo unë kam shumë vlerësim për të si dhe punën e tij.

Mundohem të mos bëhem pre e emocioneve të mia dhe kuptoj se njerëzit janë ende nën ndikimin e emocioneve si dhe se mund të thonë gjëra pak a shumë të papranueshme. Sikur disa krahasime që janë bërë me vrasësit nazistë. Por mendoj se me kalimin e kohës disa gjëra do të korrigjohen.

Kemi lexuar në Washington Post më 8 janar. Bashkautori i librit të Karla del Ponte thoshte se ështe e nevojshme që të jepen dëshmi, dhe nëse ato dorëzohen, të bëhen në kushte optimale të sigurisë dhe të mbrojtjes së dëshmitarëve. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ky autor apelon që Këshilli i Evropës të mos instrumentalizohet nga Rusia dhe Serbia me qëllim të delegjitimimit të Kosovës. A keni frikë nga ky skenar ku kjo çështje mund të instrumentalizohet?

Jo! Jo. Në rezolutë ka diçka për Serbinë dhe që u kërkon serbëve që të lëvizin për të arrestuar dy kriminelët e luftës të cilët akoma nuk i janë përgjigjur thirrjes së Tribunalit të Hagës. Sa i përket shumicës së Këshillit të Evropës, unë nuk shoh asnjë rrezik në këtë drejtim. Është e vërtetë se ka grupe nacionaliste serbe të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë raport. Por çfarë duhet bërë kundër kësaj. Nuk është puna e Këshillit.

Në lidhje me gjuhën e përdorur për ta cekur Kosovën, nuk është zgjedhje e imja. Këto janë udhëzime të rrepta, të diktuara nga Këshilli i Evropës. Vendet që nuk janë anëtarë dhe të cilat nuk janë as anëtarë të OKB-së emërtohen në mënyrë të caktuar.

Sikur emërtimi, i cili më duket qesharak: “ish-Republika Jugosllave Federale e Maqedonisë etj”. është fjalë për një gjuhë që na imponohet. Përveç kësaj, është një pjesë që nuk e kam shkruar unë. Preambula nuk është shkruar nga autori i raportit.

Nëse supozojmë se një hetim ndërkombëtar të këtë sukses me bashkëpunimin e të gjitha palëve në mënyrë që e vërteta të dalë në dritë...

Ajo që mbetet thelbësore është që të jemi në gjendje t`i japim garancitë e duhura dëshmitarit. Gjë që deri më tani asnjë instancë nuk është në gjendje për ta bërë.

Po, por duke supozuar se hetimi përfundon, dhe që rezultatet e hetimeve çojnë, ndoshta, në vërtetimin e trafikimit të organeve nga grupet kriminale që janë në shumicën e rasteve ndër-kufitare, ndër-etnike.

Unë ju them se marrëdhëniet mes mafies kosovare dhe serbe funksionojnë më mirë se raportet mes qeverive. Por, mafiet punojnë kudo, nuk ka ekskluzivitet në rajon. Fatkeqësisht, sot bashkëpunimi në mes të kriminelëve funksionon më mirë se në mes të institucioneve shtetërore. Është e qartë se trafiku i organeve funksionon në kuadër të një kriminaliteti ndërkombëtar me njerëz me prejardhje të ndryshme. Ju rikujtoj se unë flas vetëm për një grusht rastesh.

Mirëpo, imazhi është prekur rëndë. A mund të ngrihemi përsëri në këmbë pas akuzave të tilla?

Dëgjoni, mendoj se të gjithë e dimë se Kosova nuk është kjo. Mendoj se Kosova ka një perceptim të gabuar. Ne e dimë se në Zvicër kemi me dhjetëra mijë kosovarë të cilët punojnë dhe kontribuojnë në mirëqenien tonë dhe të cilët kanë familje. Fëmijët e mi kanë pasur shokë kosovarë në shkollë. Ne i dimë të gjitha këto. Mendoj se është një perceptim i gabuar kur kosovarët besojnë se ne do t’i identifikojmë ata apo Kosovën me kriminalitetin. Jo. Edhe një herë, raporti flet për një afërsi shqetësuese të disa qarqeve politike me krimin e organizuar. Nuk mund të pretendojmë se nuk e kemi pas ditur.

Ka personalitete zvicerane që ju njohin dhe që pretendojnë se ju po i mbani letrat për në fund të lojës. Sipas tyre, ju keni elemente tjera që ende nuk i keni hapur, ndërsa disa të tjerë thonë su ju luani lojën e pokerit. A keni elemente tjera për këtë aferë, apo dokumente që nuk i keni bërë publike akoma ?

Unë nuk di të luaj poker. Nuk kam luajtur kurrë në jetën time. Nuk kam luajtur kurrë asnjë frang të vetëm në makina bixhozi. Është një gjë që nuk më përket prandaj nuk e di nëse personat e përmendur më njohin në të vërtetë. Jam më tepër spontan se sa një oportunist. Çfarë më intereson mua është e vërteta dhe drejtësia, edhe nëse kjo tingëllon pak tepër madhështore. Disa kolegë të mi, gjatë kësaj kohe, merren me biznes dhe janë lobistë për kompani të mëdha ku fitojnë shumë të holla.

A mendoni se angazhimi im për Çeçeninë, Afrikën dhe për këtë çështje më sjell diçka në aspektin material? Jo, po e bëjmë këtë, sepse besojmë se mund të sjellim një kontribut.

Prandaj, pranoj të gjitha kritikat, përveç asaj të pandershmërisë intelektuale. Besoj se karriera ime dyzet vjeçare e dëshmon. Edhe pse historia nuk përsëritet kurrë plotësisht, polemika e tanishme më kujton atë të raportit tim mbi burgjet e CIA-së. Edhe aty kam pas denoncuar një politikan polak.

Ju kanë trajtuar si një anti-amerikan në veçanti.

Po, ndërsa unë kam një vëlla që ka shtetësinë amerikane dhe kam nipër të cilët janë amerikanë.

Pastaj, kam marrë dy çmime në Amerikë.

Jo! Mund të ju them se jam në dashuri të së vërtetës dhe e vërteta është shpesh shqetësuese.

Do të thotë se nuk ka asnjë prapavijë politike mbrapa raportit tuaj?

Jo! Nuk jam instrument i askujt. Më kanë kritikuar, dhe me të drejtë, se jam më shumë vetjak. Jam një anëtar i keq i partisë, sepse në qoftë se nuk pajtohem me partinë time unë nuk i jap votën time.

Unë votoj sipas mendimit tim, dhe të gjithë mund ta dëshmojnë këtë. Kështu që nuk jam instrument i askujt.

Edhe një herë, nuk kam absolutisht asgjë përveç simpatisë dhe mirëkuptimit për kosovarët. Në vitin 1999, kam shkuar enkas për të vizituar kampet e refugjatëve në Shqipëri, dhe isha aq i pikëlluar sa që i kisha sytë me lot.

Pasi u ktheva, shkruajta një artikull mbi çfarë kisha parë. Ajo që më ka prekur ishte mikpritja e jashtëzakonshme e popullit shqiptar të cilët ishin të varfër dhe mbanin në shtëpitë e tyre kushërinjtë e tyre kosovarë, për shkak se nuk kishte mjaft vende në kampe.

Besoj se e kam shkruar një fjalë mbi faktin se kisha parë me sytë e mi se çfarë kishte ndodhur. Kush e ka përmendur këtë? Askush.

Sidoqoftë, ju falënderoj për këtë intervistë.

Realizuar dhe publikuar nga ALBINFO.CH

KOMENTE