Korçë, 18 janar, NOA – Policia e Korçës dhe forcat RENEA kanë arritur të arrestojnë autorin e vrasjes së djeshme të dy të rinjve. Autori i vrasjes është Erjon Mukadesi, 32 vjeç lindur në Porodinë dhe banues në fshatin Lumalas të Korçës, i cili ka qenë i dënuar më parë me 10 vjet burg për vrasje në shtetin Grek.
Mukadesi vrau pasditen e djeshme, nën efektin e alkolit Mikel Tepexhikun, 28 vjeç dhe Kastriot Hysin, 28 vjeç të dy lindur dhe banues në Korçë.
Pas ngjarjes autori ka arritur të fshihej. Policia dhe RENEA kanë identifikuar vendin ku strehohej Mukadesi dhe e kanë arrestuar atë në fshatin Gjonomadh të rrethit Korçë.
Operacioni i koduar “Kryqëzimi” ka bërë të mundur dhe arrestimin në flagrancë të pesë personave të tjerë.
Kështu policia arrestoi Bashkim Latollarin, 37 vjeç lindur dhe banues në fshatin Gjonomadh, i cili mendohet se ka strehuar autorin. Latollari ka qenë i dënuar dhe më parë për vrasje.
“Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas e ka strehuar në banesën e tij shtetasin Erjon Mukadesi menjëherë pas kryerjes se veprës penale”, njofton Policia e Korçës.
Ndërkohë që policia ka arrestuar dhe katër persona të tjerë. Ata janë; Irfan Mukollari, 21 vjec, Fation Dinkollari, 27 vjeç, Ervin Mukollari, 19 vjeç, Miri Myrtollari, 27 vjeç, të gjithë kanë lindur dhe janë banues në Korçë.
Katër të arrestuarit akuzohen për kryerje të vrasjes në bashkëpunim.
Policia ka sekuestruar dhe armën e krimit, si dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2 gëzhoja dhe 1 fishek.
Veç dy personave që humbën jetën në ngjarjen e rëndë janë plagosur dhe tre persona të tjerë, të cilët ndodhen në spitalin e Korçës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
a.k/NOA