English

Berisha: Familja, jo më kështjella e bëj ç’të dua

Tiranë, 19 janar 2011, NOA – “Duhet ta keni të qartë se pas diktaturës dhe shtypjes politike, faktori i dytë më madhor i dhunimit të lirive dhe te drejtave njerëzore është patriarkia. Patriarkia e vendosur gjatë 5 mijë viteve të fundit, e kristalizuar në një univers të tërë praktikash, qëndrimesh, të cilat dhunojnë, liritë dhe të drejtat e vajzave e grave, pra të shumicës së shoqërisë të shumicës së kombit në mbarë globin”. Kështu u shpreh sot gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi se lufta ndaj çdo forme të dhunës në familje është një detyrim moral e ligjor. Në këtë kontekst duke diskutuar në rend të ditës për miratimin e vendimit “Për Aderimin në Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave”, shefi i qeverisë kërkoi që çdo ministri të nxjerrë detyrat permanente nga plani i veprimit, i bazuar në këtë Konventë, me qëllim që ky problem serioz të trajtohet me seriozitetin e duhur. Kryeministri kërkoi që Qeveria dhe të gjitha institucionet të përcaktojnë të gjitha masat, të ndërtojnë të gjitha praktikat e strategjitë duke mbajtur një qëndrim të drejtë mbi barazinë që ekziston midis nënës dhe babait, motrës dhe vëllait, burrit dhe gruas, vajzës dhe djalit. “E kjo duhet të jetë nga objektivat më të rëndësishëm e më të domosdoshëm të qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Duke hequr kështu çdo lloj koncepti se familja është kështjella ime dhe brenda kështjellës unë bëj ç’të dua”, pasi familja është vlera më e madhe, familja është dhe shoqëria, ndaj dhe nuk mund të dhunohet”, theksoi kryeministri. Duke vlerësuar, Sekretarin e Përgjithshëm të kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun për krijimin e grupit të udhëheqësve kundër dhunës në familje, kryeministri u shpreh se i ka kthyer përgjigje, duke i thënë se aderon me kënaqësi në këtë grup. Duke u ndalur në këtë vendim kryeministri u shpreh se “Çështja e eliminimit të formave të diskriminimit ndaj grave është çështje ndër më themeloret e lirive dhe të drejtave njerëzore, pasi patriarkia në vendet e lira është faktori më kryesor i dhunimit të lirive të të drejtave njerëzore tha ai “është e domosdoshme që të rishqyrtojmë në tërësi dhe të luftojmë me vendosmëri çdo praktikë diskriminuese, e cila është një refleks, një psikologji, një tërësi operative kudo dhe në çdo gjë”. mit/NOA

KOMENTE