English

Besimi përcakton raportet SHBA-Kinë

Dy drejtime të ndryshme janë të dukshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Një drejtim është ai i orientimit drejt bashkëpunimit, ndërtimit të besimit reciprok dhe përfitimit të përbashkët.

Rruga e dytë është ajo e vazhdimit të ndarjeve aktuale duke çuar në rritjen e shkallës së mosbesimit dhe konfliktit. Fakti se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shumë interesa të përbashkëta, nuk do të thotë se pashmangshmërisht të dyja vendet do të ndjekin rrugën e bashkëpunimit.

Ka shumë çështje globale që kërkojnë bashkëpunimin amerikano-kinez, duke filluar me ndryshimet klimatike, problemet në fushën e energjisë, shumimi i armëve bërthamore, e deri tek epidemitë e ndryshme.

Problemi kryesor në raportet aktuale mes dy vendeve është mosbesimi i dyanshëm. Një pjesë e madhe e kinezëve, jo vetëm në qeveri, besojnë se Shtetet e Bashkuara janë aty për të penguar ngritjen e Kinës dhe përpiqen pa pushim ta rrëzojnë qeverinë. Kinezët ndonëse e shohin Amerikën si fuqi në rënie, ata prapë e gjykojnë çdo veprim të Amerikës me lentet e poshtërimit që perëndimi i ka bërë Kinës.

Nga ana tjetër, një numër i madh amerikanësh i tremben apo janë të frustruar nga rritja e shpejtë ekonomike e Kinës. Kjo ndjesi bëhet më e fortë në kohën e vështirësive ekonomike për Shtetet e Bashkuara. Kësaj i shtohet dhe pasiguria rreth objektivave ushtarake të Kinës, në veçanti në rajonin e Paqësorit.

Kina ka një sistem njëpartiak dhe shteti akuzohet për shumë shkelje të të drejtave të njeriut. Megjithatë, Kina nuk është një vend monolit. E vërteta në terren është se Kina ka shumë anë që ndryshojnë vazhdimisht. Qindra miliona njerëz kanë dalë nga varfëria. Qindra disidentë politikë janë të degdisur në burgje, por miliona kinezë të tjerë po gëzojnë një shkallë më të madhe lirie në përditshmërinë e tyre.

Në këto kushte ka vetëm një rrugë për të zhbërë mosbesimin e përbashkët që ekziston në raportet Uashington - Pekin. Të pranohet mosbesimi dhe dyshimet dhe të punohet së bashku për t’i adresuar ato. Vetëm në këtë mënyrë secila palë do të demonstrojë besim te bashkëpunimi dhe jo te konfliktet.

Në këtë kuadër duhet të zgjerohen raportet e shkëmbimit mes njerëzve. Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin Kinës mjete që do ta ndihmojnë atë në rrugën e zhvillimit. Natyrisht, këtu nënkuptohet që do të jenë së bashku shkopi dhe karrota. Kina, nga ana e saj, duhet të marrë masa që ta sigurojë Amerikën se Pekini do të jetë konkurrues i ndershëm në treg duke zbatuar ligjet ndërkombëtare.

Duket se Sekretari i Thesarit, Timothi Gartner, e ka përshkruar situatën më së miri: Ka gjëra që Kina i dëshiron nga Shtetet e Bashkuara, por që do të mund t’i marrë vetëm nëse Kina bën diçka tjetër që e kërkon Amerika. Edhe e anasjellta është e vërtetë.

Samiti SHBA-Kinë gjatë vizitës së Hu Xhintaos në Uashington do të jetë prova nëse udhëheqësit e të dyja vendeve do të punojnë për forcimin e marrëdhënieve në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e këtyre vendeve, por edhe pjesa tjetër e botës.

KOMENTE