English

EULEX: Veriu i Kosovës, zonë e rrezikshme

Prishtinë, 19 janar, NOA - Veriu i Mitrovicës dhe Kosovës janë shpallur zona të rrezikshme nga ana e EULEX-it dhe pjesëtarët e saj duhen të jenë shumë të kujdesshëm. Mediat kosovare kanë arritur të sigurojnë dokumentin origjinal sipas të cilit Misioni i BE-së, dëshiron që policët e tij të jenë nën kontroll dhe në çdo kohë të dihet vendndodhja e tyre.

Shkas për këtë vendim duket të jetë incidentet që ndodhën ditë më parë, kur në dy raste katër policë të EULEX-it dhe një pjesëtar i OSBE-së u rrahën në veri të Mitrovicës nga persona të panjohur.

EULEX-i ka vendosur rregulla të reja për anëtarët e tij në lidhje me qarkullimin në veri të lumit Ibër si dhe në portat G1 dhe G31.

Sipas dokumentit, pjesëtarët e EULEX-it që udhëtojnë për në komunat veriore të Kosovës - Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë matanë lumit Ibër si dhe në pikat kufitare G1 dhe G31 duhet t’iu përmbahen rregullave, që janë vënë në funksion nga ky mision që pas incidentit në veri të Mitrovicës. Pjesëtarët e EULEX-it në rast se dalin matanë lumit Ibër duhet që me veti të kenë telefonin celular dhe radiolidhjen gjithnjë të kyçur në rrjet.

Në rast se anëtarët e EULEX-it hynë në zonat e rrezikut, pra në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Kosovës për çfarëdo arsye, janë të detyruar që të lajmërohen në bazën e tyre se ku gjinden dhe për cilat arsye. Në rast se pjesëtarët e EULEX-it nuk lajmërohen në bazë se ku gjinden në veri të Mitrovicës, ndaj tyre do të pasojnë ndëshkime deri në largimin nga misioni.

Në dy javët e shkuara, në dy raste, në veri të Mitrovicës nga një grup të rinjsh serbë të ashtuquajturit “Nova Nada Mitrovice” janë sulmuar pjesëtarë të EULEX-it dhe të OSBE-së. Në rastin e parë, nga disa të rinj janë sulmuar një pjesëtar i EULEX-it dhe një

tjetër i OSBE-së, ndërsa në rastin e dytë në orët e hershme të mëngjesit ishin sulmuar dhe rrahur rënd tre pjesëtarë të EULEX-it.

a.k/NOA

KOMENTE