English

Maqedoni, shtohen protestat kundër qeverisë

Shkup. 19 janar, NOA - Maqedonia rrezikon shtimin e protestave sociale dhe ekonomike, si shenjë pakënaqësie kundër masave qeveritare në sferën ekonomike dhe sociale.

Vetëm brenda këtij muaji janë organizuar protesta të punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara, protestat e kultivuesve të duhanit si dhe protestat sociale për shkak të vonesave të ndihmave sociale. Sindikatat e punëtorëve kanë paralajmëruar se muajt e ardhshëm do të jenë muaj të protestave sociale, për shkak të krizës ekonomike, papunësinë dhe kundër masave të dështuara qeveritare për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend.

Kultivuesit e duhanit paralajmëruan vazhdimin e protestave gjatë ditës së nesërme, për shkak të mospërmbushjes së kushteve të tyre, për rritjen e çmimit blerës të duhanit. Ata në protestën e djeshme sulmuan godinën e Parlamentit, duke tentuar që të çajnë kordonet policore për të ndërhyrë në ambientet e brendshme të institucionit legjislativ. Kultivuesit e duhanit paralajmëruan se protestat e tyre do të radikalizohen.

Në mbështetje të këtyre protestave pasojnë edhe ato të punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara shtetërore. Punëtorët kërkojnë që Qeveria të sigurojë një pagesë mujore deri në 100 euro, deri në pensionimin e këtyre punëtorëve me përvojë pune mbi 20 vjet, të cilët kanë ngelur në rrugë. Sindikata që përfaqëson mijëra punëtorë të falimentuar UNIT gjithashtu paralajmëroi për radikalizimin e protestave të tyre, në rast se Qeveria tregohet e shurdhër për plotësimin e kërkesave të tyre.

Rritja e çmimeve dhe mungesa e masave qeveritare për të përballuar shtrenjtimeve të vazhdueshme paralajmërohet se do të nxjerrë në rrugë qytetarët. Protestat e deritanishme të kultivuesve të duhanit dhe të sindikalistëve UNIT kanë marrë ngjyrime politike, pasi që Qeveria akuzoi ato për lidhje me partitë e opozitës.

NOA/INA

KOMENTE