Tiranë, 19 janar 2011, NOA – Edhe përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë 91, Petro Koçi i ka bërë sot thirrje çdo qytetari opozitar që t’i bashkohet demonstratës së 21 janarit për të kërkuar largimin e Sali Berishës nga pushteti. “Opozita e Bashkuar e ka për detyrë që pas djegies provokative të fletëve të votimit dhe mbas shfaqjes së shëmtuar të korrupsionit qeveritar në mënyrë të regjistruar në mediat e vendit, të orientojë çdo zgjidhje politike drejt një demokracie reale, ku qytetari të thotë fjalën e tij. Është detyra e opozitës që të orientojë zgjidhjen politike, të orientojë reagimin qytetar ndaj këtij realiteti krize të prodhuar nga qeveria Berisha”, deklaroi në një konferencë të posaçme kreu i PSV91. Koçi bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas tij mund të realizohen njëkohësisht me zgjedhjet lokale të 8 majit, pasi sikundër tha ai, parlamenti është institucioni kryesor ku kapet shteti dhe ku prodhohet korrupsioni. “Parlamenti është institucioni kryesor ku bllokohet sistemi i drejtësisë për të luftuar korrupsionin. Prandaj është e domosdoshme që në datën 21 janar çdo qytetarë i lirë dhe çdo qytetar opozitarë të vijë në Tiranë për të demonstruar në një protestë të madhe, sigurisht kur bëjë këtë thirrje kam parasysh një pjesëmarrje pa mungesa”, apeloi Koçi. mit/NOA