English

PBKD: Opozita t’i thërrasë arsyes, motivohet nga urrejtja për kundërshtarin

Tiranë, 19 janar 2011, NOA – Pas thirrjeve të fundit të opozitës për ngritje në këmbë të popullit në protestën e 21 janarit e cilësuar si protesta për largimin e qeverisë Berisha, Partia Balli Kombëtar Demokrat i bëri thirrje opozitës të mos rrezikojë edhe më tej situatën politike në vend duke cytur urrejtjen dhe dëshirën e shfrenuar për pushtet. Kreu i PBKD-së, Artur Roshi në një konferencë për shtyp paralajmëroi se “ndodhemi para një situate të rrezikshme, të cilën duhet ta parandalojmë sa nuk është vonë. Opozita duhet t'i thërrasë arsyes. Qasjet e ndryshme për zgjidhjet polititke, nuk duhet të vënë në dyshim dashurinë e kundërshtarit për Shqipërinë apo për popullin shqiptar”. Sipas PBKD-së niveli ku ka zbritur debati politik javën e fundit, është tejet i ulët, ndërkohë që veprimtaria e opozitës është tërësisht e motivuar nga urrejtja dhe dëshira për pushtet, e cila sipas tij, fillimisht të çon drejt vulgartetit, e më pas drejt dhunës. “Faktorët politkë, të të gjithë spektrit, nuk duhet ta humbin arsyen, cilado qofshin rrethanat apo motivet. Opozita nuk duhet të marrë përsipër të bëjë dhe rolin e spiunit, dhe të denoncuesit, dhe të kameramanit të fshehtë, dhe të prokurorisë dhe të gjykatësit. Këto i bëri Enver Hoxha dhe i siguroi vetes vendin e kriminelit më të madh në historinë e Shqipërisë”, tha Roshi. Duke iu referuar degjenerimit të seancës së parë të sesionit të ri parlamentar, asaj të së hënës në mbrëmje, e cila u pushtua nga sharjet dhe fyerjet mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, por edhe deputetëve të tjerë të opozitës, kryetari i PBKD-së theksoi se mbledhja e deputetëve të opozitës te foltorja e Kuvendit, në një përpjekje për të sulmuar fizikisht Kryeministrin e vendit, është pasojë sipas tij e instikteve guerrile të opozitës së sotme, që sipas Roshit duhet t’i nështrohen një operacioni emancipues e demokratik. “Opozita duhet të hedhë në tregun politik alternativa, jo vetëm dëshirën e saj të lashtë për pushtet. Tensioni që ajo krijon, nuk na lejon t'u kushtojmë vëmendjen e duhur problemeve reale që ka vendi”, shtoi Roshi. Sipas PBKD-së, thirrjet antikushtetuese të opozitës ditët e fundit, se gjoja mazhoranca do të përballet me popullin, thjesht nxori në sipërfaqe mentalitetin totalitar të opozitës. mit/NOA

KOMENTE