English

PD: Rama falsifikoi videon me dy ish-punonjës të Sigurimit

Tiranë, 19 janar 2011, NOA – Partia Demokratike e ka akuzuar rishtas Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se me videon e përgjuar Meta-Prifti ka kryer një akt të rëndë kriminal ndaj rendit kushtetues duke dëshmuar se është një njeri pa dinjitet e vlera morale. “Me këtë vepër të rëndë penale, kreu i bllokmenëve të rinj, dëshmon se njëlloj si Kristaq Rama, që firmosi ekzekutimin dhe varjen e Havzi Nelës dhe kundërshtarëve të tjerë politikë edhe pas rënies së Murit të Berlinit, Edvini me dy punonjës të vjetër të Sigurimit të Shtetit, monton, falsifikon video për kundërshtarët e tij politikë”, deklaroi në një konferencë për shtyp deputetja demokrate Mesila Doda.

Sipas deputetes Doda akti i shëmtuar i përgjimit u finalizua pikërisht nga ai që sot njihet si i vetmi politikan në Europë që ka akuzuar të atin si baba të djalit të tij dhe nuk ka pranuar t’i bëjë analizën për të faktuar akuzën e tij.

Duke vijuar me akuzat e përmendura në seancën e paprecedentë të së hënës në kuvend, Doda tha se këtë akt të shëmtuar mund ta bënte vetëm ai që i ka mohuar për dhjetë vjet me rradhë djalit të vetëm, si atësinë ashtu edhe kafshatën e gojës.

“Një akt të tillë të ulët e bën vetëm Edvin Kristaq Rama që ka persekutuar, rrahur dhe mbyllur në spital spital psikiatrik nënën e djalit të tij, ka zhveshur lakuriq në plazh gruan që mori pas saj, ka rrahur në publik gruan e tretë, ka degdisur të katërtën pa nam dhe nishan. Njeriu që ka nxjerrë të ëmën në mes të natës të rrahur nga shtëpia”, tha deputetja demokrate.

Deputetja e PD-së shtoi ndërkaq se “vetëm një bllokmen çimkë si Edvini, që dy vjet rresht punoi për të keqen e qytetarëve shqiptarë, për të bllokuar me bojkote, valle kutish e greva orgjish, vizat dhe lëvizjen e tyre të lirë mund të arrinte të realizonte një video të tillë, apo sikundër tha ajo, një bllokmen çimkë që për çdo leje ndërtimi pret 20 % gjoba, duke bërë që Bashkia e Tiranës të renditet në 2-3 më të korruptuarat e planetit për lejet e ndërtimit”, akuzoi lidershipin e PS-së, Edi Rama, deputetja e PD-së, Mesila Doda.

mit/NOA

KOMENTE