Tiranë, 19 janar 2011, NOA – Ndërkohë që kreu i LSI-së, Ilir Meta i bëri thirrje Edi Ramës që të distancohet nga aktet kriminale ndaj shtetit që sipas tij janë parashikuar për protestën e 21 janarit, Partia Socialiste reagoi duke iu përgjigjur Metës se me shfaqjen e tij të shpeshtë në publik i kujton shqiptarëve pamjet e matrapazit me bllok në dorë. Në një konferencë të posaçme për shtyp, anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa deklaroi se “pas asaj shfaqje të turpshme, që e panë dhe dëgjuan të gjithë shqiptarët është e kuptueshme që Ilir Meta të ketë frikë nga zemërata e popullit dhe sigurisht të ketë edhe më shumë frikë nga ndëshkimi i sigurt që populli shqiptar do i japë ndjesë pastë Lëvizjes Socialiste për Integrim me votë”. Në vijim të deklaratës, Ajtyresa theksoi se “Ilir Meta dhe kryeministri i tij i lajthitur duhet ta kenë të qartë se demonstrata e 21 janarit nuk është përpjekja e PS-së për të fituar pushtet, por është e drejta e çdo qytetari për të protestuar dhe demonstruar kundër këtij pushteti kusarësh dhe matrapazësh”. mit/NOA