Tiranë, 19 janar 2011, NOA – Pas thirrjeve të përditshme nëpër konferenca shtypi, Partia Socialiste ka nisur sot në të gjitha njësitë bashkiake edhe lajmërimin derë më derë të qytetarëve për t’iu bashkuar demonstratës së 21 janarit. Nën parrullën “Sali dorëzo bllokun”, PS bën me dije se demonstrata vjen si një reagim qytetar ndaj korrupsionit dhe keqqeverisjes së pushtetit të Sali Berishës, që sipas PS-së shënuan momentin e tyre më të shëmtuar e flagrant me skandalin e videos së përgjuar Meta-Prifti. Sipas nismëtarëve demonstrata do të nisë të premten në orën 14:00 dhe qytetarët nga e gjithë Shqipëria do të marshojnë nëpër rrugët e Tiranës për tu mbledhur më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Vetë Kryetarja e njësisë bashkiake numër 1, Lindita Nikolla duke shkuar derë më derë e duke bashkëbiseduar me qytetarët i ftoi ata t’i bashkohen protestës së opozitës të premten, për t’i dhënë fund kusarisë së qeverisë së Sali Berishës. Gjatë lajmërimeve, Nikolla ka marrë mbështetjen e qytetarëve, sikundër edhe të një emigranti, banor në lagjen “Ali Demi”, i cili tha se kishte ardhur posaçërisht për të marrë pjesë në protestë. “Të shpëtojmë kombin, të shpëtojmë popullin. Demonstrata është e popullit. Unë s’jam anëtar partie, në asnjë parti, jam qytetar i Shqipërisë”, tha ai. PS i garanton qytetarët se demonstrata e 21 janarit është pa dallim ngjyrimi politik, por në emër të së mirës së përbashkët për t’i dhënë fund kësaj qeverie kusarësh. mit/NOA