English

Rinas, arrestohet kosovari i kërkuar për trafik droge

Tiranë, 19 janar, NOA – Një qytetar nga Kosova është arrestuar dje në Aeroportin e Rinasit pasi rezultonte në listën e personave të kërkuar nga Interpoli në Itali.

Pasditen e djeshme, efektivat e policisë në Aeroportin e Rinasit kanë ndaluar Erjon Rexhën, 32 vjeç, lindur në Prishtinë.

Për Rexhën, Gjykata e Romës, me vendimin Nr. 6540/2006, datë 17.10.2006, e ka dënuar atë për veprat penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “trafikimi i narkotikëve (kanabis)” dhe “falsifikim dokumentesh”.

Për tre veprat penale Rexha është dënuar nga Gjykata e Romës me 10 vite burg. Sipas policisë, ai ka qenë duke u kthyer nga Anglia ku qëndronte prej disa kohësh.

Gjatë verifikimit në sistemin e Interpolit, nga shërbimet e policisë, ka rezultuar që ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ndaj Rexhës është marrë masa e arrestit dhe pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.

a.k/NOA

KOMENTE