English

Shmangia e një Lufte të Ftohtë Amerikë-Kinë

Amerikanët shpesh i bëjnë apel Kinës të japë prova të “përgjegjësisë ndërkombëtare” të saj, duke ndihmuar në zgjidhjen e një problemi të veçantë. Propozimi që Kina të japë prova të bona fide-s së saj është i ashpër për një vend që e sheh veten si të detyruar të përshtatet me anëtarësinë në një sistem ndërkombëtar të hartuar në mungesë të saj dhe në bazë programesh në zhvillimin e të cilave nuk mori pjesë.

Nga Henry A.Kissinger*

Samiti i ardhshëm mes presidentëve të Amerikës dhe Kinës do të zhvillohet ndërsa shënohet progres në shumë prej çështjeve që u dalin përpara dy vendeve dhe një komunikatë pozitive është e mundshme. Megjithatë, të dy udhëheqësit përballen gjithashtu me një opinion të elitave të dy vendeve, të cilat e vënë theksin te konflikti, në vend të bashkëpunimit.

Shumica e kinezëve që takoj dhe që nuk i përkasin qeverisë, por edhe disa në qeveri, duken të bindur se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të izolojnë Kinën dhe të pengojnë ngritjen e saj. Mendimtarët strategjikë amerikanë tërheqin vëmendjen ndaj shtrirjes ekonomike globale të Kinës dhe aftësisë në rritje të forcave të saj ushtarake.

Duhet treguar kujdes në rast se të dyja palët e shtyjnë veten drejt profecive të vetërealizueshme. Natyra e globalizmit dhe shtrirja e teknologjisë moderne i detyrojnë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën të ndërveprojnë përreth botës. Një Luftë e Ftohtë mes tyre do të sillte një rreshtim ndërkombëtar, duke përhapur tension në politikën e brendshme të çdo rajoni, në një kohë kur çështje si prodhimi i armëve bërthamore, mjedisi, energjia dhe klima kërkojnë një zgjidhje botërore gjithëpërfshirëse.

Konflikti nuk është pjesë natyrale e rritjes së një kombi. Shtetet e Bashkuara në shekullin e 20-të është shembulli i një shteti që u bë prominent pa hyrë në konflikt me fuqitë dominuese të asokohe. Ashtu siç nuk ishte i paevitueshëm i shpeshcituari konflikt gjermano-britanik. Politikat provokative dhe dritëshkurtra luajtën një rol në shndërrimin e diplomacisë europiane në një lojë të shumës zero.

Marrëdhëniet kino-amerikane nuk kanë nevojë të marrin një kthesë të tillë. Në shumicën e çështjeve bashkëkohore të dy vendet bashkëpunojnë kënaqshëm; çka u mungon të dyjave është një koncept i mbishtrirë për ndërveprimin e tyre. Gjatë Luftës së Ftohtë një kundërshtar i përbashkët shërbente si ngjitës. Ende nuk kemi koncepte të përbashkëta të dala nga spektri i detyrave të reja me të cilat ndeshet një botë e globalizuar që i nënshtrohet konfuzionit politik, ekonomik dhe teknologjik.

Kjo nuk është diçka e lehtë. Sepse presupozon nënshtrimin e aspiratave nacionale ndaj vizionit të një rendi botëror. As Shtetet e Bashkuara dhe as Kina nuk kanë përvojë para një misioni të tillë. Secila mendon se vlerat kombëtare i ka unike dhe të një lloji ndaj të cilit kombet e tjera janë natyrshëm të prirura. Integrimi i këtyre dy varianteve të exceptionalism-it është sfida më e madhe e marrëdhënieve kino-amerikane.

Exceptionalism-i amerikan e sheh si të natyrshme që ta kushtëzojë sjelljen e tij kundrejt shoqërive të tjera në bazë të pranimit që ato i bëjnë vlerave amerikane. Shumica e kinezëve e shohin ngritjen e vendit të tyre jo si një sfidë ndaj Amerikës, por si lajmërim të rikthimit në gjendjen normale të gjërave në kohën kur Kina ishte prominente. Sipas këtij këndvështrimi kinez, janë 200 vitet e shkuara të dobësisë relative të Kinës-jo rilindja e tanishme- që përbëjnë një anormalitet.

Historikisht Amerika ka vepruar sikur mund të tërhiqej ose të pjesëmerrte në çështjet ndërkombëtare sipas vullnetit të saj. Në këndvështrimin kinez të vetes, si Mbretëria e Mesme, ideja e barazisë së pavarur të shteteve ishte diçka e panjohur. Deri në fund të shekullit të 19-të Kina i trajtonte shtetet e huaja si kategori të ndryshme vasalësh. Kina nuk u ndesh kurrë me një vend të një magnitude të ngjashme, derikur ushtritë europiane i dhanë fund izolimit të saj. Deri në vitin 1861 nuk kish patur një Ministri të Punëve të Jashtme, por edhe atëherë u krijua me funksion parësor kontaktet me pushtuesit kolonialistë.

Amerika i sheh shumicën e probleme që ndesh si të zgjidhshme. Kina në historinë e saj mijëvjeçare beson se pak probleme kanë zgjidhje përfundimtare. Amerika ka një qasje problem-zgjidhëse; Kina ndihet mirë kur menaxhon kontradikta pa presupozuar se ato janë të zgjidhshme.

Diplomacia amerikane ndjek zgjidhje specifike, me një këmbëngulje ambicioze. Negociatorët kinezë me më shumë gjasa e shohin procesin si kombinim të elementeve politike, ekonomike dhe strategjike dhe kërkojnë rezultate përmes një procesi të tejzgjatur. Negociatorët amerikanë acarohen dhe nuk i durojnë dot ngërçet; negociatorët kinezë i konsiderojnë ato si mekanizma të pashmangshëm të ndërmjetësimit. Negociatorët amerikanë përfaqësojnë një shoqëri që kurrë nuk ka vuajtur katastrofa kombëtare-përveç Luftës Civile, e cila nuk shihet si përvojë ndërkombëtare. Negociatorët kinezë nuk mund të harrojnë shekullin e turpërimit, kur ushtritë e huaja taksuan një Kinë të gjunjëzuar. Udhëheqësit kinezë janë në ekstrem të ndjeshëm ndaj shenjës më të vogël të arrogancës dhe janë të gatshëm për ta përkthyer këmbënguljen amerikane si mungesë respekti.

Koreja e Veriut jep një shembull të mirë të ndryshimeve në perspektivë. Amerika është fokusuar në shtimin e armëve bërthamore. Kina, e cila në terma afatgjatë ka më shumë arsye për t’u shqetësuar nga armët bërthamore se sa ne, veç kësaj e vë theksin te afërsia gjeografike. Shqetësohet për kaosin që mund të pasojë nëse trysnia për shtimin e armëve bërthamore mund të çojë në shpërbërjen e regjimit koreanoverior. Amerika kërkon një zgjidhje konkrete për një problem specifik. Kina sheh çdo përfundim të tillë si një pikë të mesme në një seri sfidash të ndërlidhura, pa fund të prekshëm, rreth të ardhmes së Azisë Verilindore. Për një progres të njëmendtë, diplomacia me Korenë ka nevojë për një bazë më të gjerë.

Amerikanët shpesh i bëjnë apel Kinës të japë prova të “përgjegjësisë ndërkombëtare” të saj, duke ndihmuar në zgjidhjen e një problemi të veçantë. Propozimi që Kina të japë prova të bona fide-s së saj është i ashpër për një vend që e sheh veten si të detyruar të përshtatet me anëtarësinë në një sistem ndërkombëtar të hartuar në mungesë të saj dhe në bazë programesh në zhvillimin e të cilave nuk mori pjesë.

Ndërsa Amerika ndjek politika pragmatiste, Kina priret t’i shohë këto politika si pjesë të një dizajni të përgjithshëm. Në fakt, priret të gjejë një racionale për nisma që kanë në thelb qasje nacionale në termat e një strategjie të përgjithshme për të penguar Kinën.

Testimi i rendit botëror është kufiri i fundit ku konkurrentët mund të mbështesin njëri-tjetrin. Në marrëdhënien amerikano-kineze realiteti zotërues është se asnjëri prej të dyve nuk do të jetë kurrë në gjendje për të dominuar tjetrin dhe se konflikti ndërmjet tyre do të dobësojë shoqëritë e tyre. A munden ata të gjejnë një kornizë konceptuale për të shprehur këtë realitet? Koncepti i një komuniteti të Paqësorit mund të bëhet një parim organizues i shekullit të 21-të për të shmangur formimin e blloqeve. Për këtë është nevoja e një mekanizmi konsultativ që lejon shtrirjen e objektivave të përbashkët afatgjatë dhe koordinon pozicionet e të dy vendeve në konferencat ndërkombëtare.

Synimi duhet të jetë krijimi i një tradite respekti dhe bashkëpunimi, në mënyrë që pasardhësit e udhëheqësve që takohen tani vazhdojnë ta shohin si interes të tyrin ndërtimin e një rendi botëror si një ndërmarrje të përbashkët.

*Sekretar amerikan i Shtetit në vitet 1973-1977

KOMENTE