Lezhë, 19 janar, NOA - Forcat “RENEA” të cilat ndodheshin në një postbllok, i kanë bërë thirrje një shoferi që të ndalonte, por ai nuk u është bindur atyre dhe ka shtuar shpejtësinë e automjetit tip “IVECO” kamionçinë me targa KR 2118 A, me të cilin udhëtonte.
Duke u larguar, ai ka hedhur nga dritarja e automjetit nje thes në të cilin rezultoi se kishte, 1 automatik model 56 me 1 krehër me 3 fishekë model 56 të cilët i mbante pa leje.
Ngjarja konfirmohet nga burimet policore të Lezhës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, personi që ka kryer këtë akt mosbindje ndaj policisë është 28-vjeçari
Tom Vuka, banues në Fushë Mamurras të Kurbinit.
Mësohet se ai u kap dje në qytetin e Rrëshenit, në vendin e quajtur Ura e Fanit dhe në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua arma e zjarrit, së bashku me automjetin tip “IVECO” kamionçinë.
U kryen veprimet e para hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen dhe materialet do t’i referohen prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” e “Mosbindjes ndaj urdhrave të punonjësve të policisë së rendit publik” parashikuar nga nenet 278/2 dhe 242 te Kodit Penal, në ngarkim të Tom Vukës.
n.e/NOA